Drejtori i Policisë në takim me kryetarin e Prishtinës, flasin për themelimin e Drejtorisë së Policisë të Kryeqytetit

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga zëvendësdrejtori Fehmi Hoti dhe nga drejtori rajonal i Prishtinës, Fehmi Xhata, priti në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama, me bashkëpunëtorët e tij.

Policia thekson se drejtori Gazmend Hoxha, njoftoi kryetarin Rama, se me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe shërbimit ndaj nevojave të qytetarëve dhe vetë kryeqytetit, Policia e Kosovës, në kuadër të strukturës së re organizative, ka themeluar edhe Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit, e cila është në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës.

Sipas komunikatës, krijimi i kësaj drejtorie do të ndihmojë dhe do të avancojë bashkëpunimin e mëtejmë ndërinstitucional dhe do të jetë në shërbim ndaj nevojave të qytetarëve të kryeqytetit.

Përmes një komunikate për media, Policia bën të ditur se në këtë takim, i cili ishte i karakterit njoftues dhe urues, përveç tjerash u diskutuan edhe tema mjaft të rëndësishme në interes të të dy institucioneve, e që rezultojnë direkt në interes të sigurisë së përgjithshme dhe shërbimit ndaj qytetarëve të kryeqytetit.

Ndër të tjera, potencohet se u diskutua edhe rreth sigurisë së përgjithshme, vendosjes së kamerave në kryeqytet, sigurisë së trafikut rrugor, të gjitha këto në interes të ofrimit të shërbimeve më të mira dhe më efikase ndaj banorëve të kryeqytetit.