Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Drejtori i Arsimit në Pejë e quan ‘komedi’ paralajmërimin e MASHTI-t për librat shkollorë

Drejtori Komunal i Arsimit në Pejë, Naser Gega e ka quajtur “komedi”, paralajmërimin e Ministrisë së Arsimit, që për blerjen e librave për nxënësit për vitin e ardhshëm shkollor, paratë t’ua transferojë prinderëve.

Udhëheqësi i kësaj drejtorie, Naser Gega thotë për KALLXO.com, se ideja është e vonë, ndonëse e quan “inovatike” dhe “e shpikur” nga Ministria.

“Është një ide inovative që e ka shpik MASHTI, edhe kjo është shumë vonë, nuk është e qëlluar bash hiç nëse ka qenë plani, është dashtë me u njoftu prindërit edhe tjerët, përndryshe minutat e fundit para fillimit të vitit shkollorë, kjo është si komedi, s’e di çka të them tjetër” – ka thënë Gega, për KALLXO.com.

Sipas Gegajt, kjo situatë do të paraqes sfidë për shkollat që funksionojnë në Pejë.

Ai tutje ka bërë të ditur se të mërkurën, Kolegjiumi i Arsimit, drejtorët komunalë të Kosovës, janë ftuar të mbajnë një takim, ku do të sqarohet se si është menduar të subvencionohen prindërit për tekstet shkollore.

“Ata (drejtorët e shkollave) kanë shqetësim, në të njëjtën kohë kanë edhe amulli, nuk kanë ide si do të realizohet, presin informata prej nesh, dhe mu për këtë fakt nesër do të takohemi me Kolegjium të Arsimit edhe ta qartësojmë situatën, besoj do të jetë edhe ministrja [Arbërie] Nagavci, sigurisht që ajo do të sqarojë diçka ma tepër, nëse ka” – është shprehur Gega.

Sipas të dhënave, komuna e Pejës ka afër 30 shkolla dhe afër 17,000 nxënës.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të hënën  tha se deri tek shqyrtimi i një opsioni të tillë lidhur me librat, kanë ardhur me qëllim rritjen e transparencës së parasë publike.

Kurse, zëvendësministri i MASHTI-it, Taulant Kelmendi e ka quajtur të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit.

Kelmendi ka thënë se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

Reagimet për këtë çështje nuk kanë munguar.

Shtëpia Botuese “Dukagjini” doli të hënën me një reagim duke thënë se çmimi i ofertuar për këtë vit të ri shkollor është më i ulët për 4% se çmimi i vitit të kaluar.

Në lidhje me situatën e krijuar kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike opozitare, nga të cilat kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres Nagavci.

Situata me librat, DKA në Deçan thotë se mund ta bojkotojnë procesin mësimor