Foto: Kallxo.com

Dosja e prokurorisë: Si u përfshi djali i policit në grabitjen e Shtimes

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës disa persona në mesin e të cilëve edhe djali i një polici dyshohet se ia kishin mësyrë shtëpisë së një mërgimtari në Shtime. Motivet dyshohet të jenë grabitja e parave. Pak minuta pasi hynë në shtëpi njëri nga grabitësit mbeti i vdekur ndërsa u plagos pronari i shtëpisë.

Grabitësit dyshohet se ishin të organizuar në grup, F.G.(djali i policit tani i vdekur), A.T., A.T.1. dhe A.M., fillimisht u takuan në Prishtinë për tu koordinuar.

Me veturë, ata fillimisht janë nisur drejtë Shtimes dhe rrugës transit janë futur në fshatin Petrovic ku edhe atje kanë ndalur veturën, dhe nga e njëjta kanë dal tani i ndjeri F.G. dhe A.T., ndërsa A.T.1. dhe A.M, kanë mbetur në veturë. Dosja e hetimeve sqaron se F.G. dhe A.T. të armatosur janë futur në shtëpinë e të dëmtuarit dhe nga aty kanë marr shumën e të hollave prej 24.000 franga.

Në ato momente ata janë vërejtur nga pronari i shtëpisë N.N, i cili ka mbetur i plagosur me armë zjarri në tarracën e shtëpisë.

N.N. ndonëse i plagosur, së bashku me të dëmtuarin (vëllain) tjetër A.N., i ndjekin të dyshuarit nga pas dhe, dikund pas 200-300 metrash e zënë të pandehurin F.G.

Pas përleshjes, në vend mbetët i vdekur F.G., i cili është djali i një zyrtar policor ndërsa të tjerët me të dëgjuar krismat e armëve largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policisë i janë dashur tri ditë për të zbuluar pjesën tjetër të grupit.

Për këtë rast kanë ndodhur edhe bastisje në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe në Pejë.

Burime të KALLXO.com thonë se provat e gjetura në këto lokacione ndërlidhin njerëzit me grabitjen në Shtime.

Për ngjarjen në burg janë edhe dy vëllezërit Ndrecaj njëri prej të cilëve i plagosur.

Ndërkohë, babai i dy vëllezërve që po dyshohen për vrasjen në Shtime ka mbledhur dhjetëra persona para Gjykatës së Ferizajt duke protestuar lidhur me ndalimin e djemve të tij.

Vëllezërit N.N dhe A.N po dyshojen për vrasje, që sipas prokurorisë ka ndodhur pas një tentim grabitjeje nga tashmë i ndjeri F.G.

N.N është i plagosur ndërsa pritet të qëndrojë një muaj në paraburgim, kurse i vëllai i tij A. N. në arrest shtëpiak.

Këta të dy kanë mohuar se e kanë kryer veprën për të cilën dyshojen.

Gjatë grabitjes që ndodhi të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit në Shtime, njëri nga grabitësit e dyshuar mbeti i vdekur ndërsa pronari i shtëpisë, i cili kishte ardhur nga Zvicra për pushime, u plagos.

Policia ka arrestuar vetë pronarin dhe vëllain e tij ndërsa banorë të Shtimes kanë protestuar para stacionit të Policisë në Ferizaj në kërkim të lirimit të tyre.

Babai i të arrestuarve janë ndaluar gabimisht. Ai tha se i ka parë ata dhe se njëri është i lënduar ndërsa tjetri është mirë.