Dorëzohet në Polici Aaron Rexhaj, i dyshuari për aksidentin me fatalitet në Pejë

Një këmbësor i moshës 41-vjeçare ka vdekur si pasojë e një aksident trafiku në rrugën “Bill Klinton” në Pejë në orët e para të ditës së djeshme.

41-vjeçari u godit nga një veturë, vozitësi i së cilës më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

I dyshuar në këtë rast ishte Aaron Rexhaj, i cili sot rreth orës 15:30 së bashku me avokatin mbrojtës është dorëzuar në njësitin rajonal të Komunikacionit Rrugor në Pejë.

Policia ka njoftuar se pas intervistimit nga hetuesit e aksidenteve me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

KALLXO.com dje raportoi se Rexhaj, sipas Prokurorisë së Pejës, ka edhe disa vepra të tjera penale për narkotikë.

“Ka disa vepra penale në të kaluarën, kryesisht për narkotik. Shitblerje dhe posedim i narkotikëve” – ka thënë për KALLXO.com Zyra për Informim e Prokurorisë së Pejës.

Policia në njoftimin fillestar ka thënë se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 00:50, kur kanë pranuar informatën se ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.