Donald Tusk | Foto: REL/Reuters

Donald Tusk dënon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhunën e Qeverisë, i jep mbështetje Partisë Demokratike

Donald Tusk, politikani polak që ka mbajtur për dy mandate pozicionin e Presidentit të Këshillit të Europës, pozicioni më i lartë në strukturat e BE-së deri në vitin 2019, publikoi një nga kritikat më të ashpra deri më sot ndaj vendimit të Kryeministrit Edi Rama për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Unë dënoj shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë të Dielën, gjë që shkon kundër vlerave Europiane, të tilla si ruajtja e vlerave të trashëgimisë kultutore, sundimit të ligjit dhe dialogut transparent,” deklaroi Tusk në Twitter.

Tusk, i cili është aktualisht president i Partive Popullore Europiane, grupi transnacional i partive të djathta, dënoi gjithashtu ashpër dhunën policore ndaj protestuesve.

“Frikësimi dhe përdorimi i dhunës kundër protestuesve, shoqërisë civile, artistëve dhe politikanëve të opozitës është e papranueshme,” tha Tusk.

“Sundimi i ligjit, media e lirë dhe e pavarur dhe lufta kundër korrupsionit duhet të triumfojë për perspektivën Europiane të Shqipërisë. Unë shpreh mbështetjen time për partinë tonë anëtare PD Shqipëri në luftën për demokraci në Shqipëri,” deklaroi ai.

Ndonëse Partia Demokratike është anëtare e PPE-së, mbështetja e këtij grupi për këtë parti ka qenë e paktë deri më sot, veçanërisht për shkak të kundërshtive të saj për reformën në drejtësi. Por deklarata e sotme e Tusk përbën një nivel të ri për nga ashpërsia e gjuhës së përdorur. (reporter.al)