Djegia e arkivit të Stacionit Policor në Drenas, supendohen tre zyrtarë të Policisë

Dy zyrtarë policor dhe një pjesëtar i stafit civil të Policisë së Kosovës janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës në lidhje me djegien e zyrës së arkivit të Stacionit Policor në Drenas.

Tre zyrtarët janë suspenduar nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës (dy zyrtar policorë dhe një nga stafi civil i PK-së) lidhur me rastin e njëjtë. Rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm””, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje IPK ka thënë se gjatë ditës së djeshme janë njoftuar në lidhje me zjarrin që ka ndodhur në zyrën e arkivit të SP në Drenas.

Sipas hetimeve të IPK zjarri ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë së dy zyrtarëve policor dhe një personi tjetër që është staf civil i PK-së.

“Zjarri është lokalizuar përderisa hetuesit e IPK-së së bashku edhe me njësitet tjera relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes  dhe kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes duke hetuar rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim ndriçimin e shkaqeve të zjarrit e që sipas hetimeve fillestare dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia”, thuhet tutje në njoftim.

Digjet zyra e arkivit në Stacionin Policor në Drenas