Disa nga të lënduarit nga shpërthimi në Ferizaj do të dërgohen për trajtim në Turqi

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se po bëhen përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë të lehtësohet procedura për shërim në Turqi.

Aliu ka bërë të ditur se të lënduarit do të dërgohen në Turqi sipas rekomandimeve të mjekëve pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, ShSKUK-në dhe Ambasadën e Turqisë.

“Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë. Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin. Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre”, ka shkruar Aliu.

Ai po ashtu ka përmendur reagimin e mjekëve ferizajas, si dhe stafin teknik nga komunat fqinje, Policinë e Kosovës, zjarrfikësve, që me reagimin e shpejtë parandaluan zgjerimin e tragjedisë.

Të paktën 44 persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi në një lokal në Ferizaj pasditen e sotme.

Sipas mjekut kujdestar në QKUK, Agron Çitaku, 15 të lënduar po trajtohen në QKUK.

Sipas tij, katër prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe dy janë në mjekim intensiv.