Dilemat për hapjen e çerdheve

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka marrë  vendim që të hapen çerdhet publike dhe private nga 1 qershori, ndërsa disa nga komunat kanë njoftuar se nuk janë të përgatitura për t’i hapur ato.

KALLXO.com ka vizituar disa nga çerdhet në Komunën e Prishtinës dhe ka biseduar me udhëheqës dhe edukatore të këtyre institucioneve.

Përderisa të gjitha institucionet parashkollore ishin duke u përgatitur për të filluar punën nga nesër, drejtoresha e kopshtit të fëmijëve “Dea 2”, Ajshe Spahiu, tregon se punën në këtë institucion privat ka filluar nga sot.

“Sot është dita e parë, disa prindër i kanë pru (fëmijët) disa prind kanë frikë, por COVID-19 është ma rrallë te fëmijët, janë më pak të prekshëm”, ka thënë Spahiu.

Tutje ajo tregon se nga 50 fëmijë të cilët janë të regjistruar këtë çerdhe, sot kanë qenë të pranishëm nëntë prej tyre.

Qëndresa Qeriqi, edukatore në këtë Kopsht tregon se fëmijët kanë qenë të lumtur që janë kthyer përsëri në shkollën e tyre dhe se prindërit kanë telefonuar për t’i sjellë fëmijët gjatë javës.

“Kanë qenë shumë të gëzuar kur kanë ardhur, mezi kishin pritë me ardhë”, tregon Qeriqi.

Drejtoresha e këtij kopshti tregon se janë marrë masat e duhur dhe objekti është dezinfektuar dhe po punohet me dorëza dhe maska.

Pas vendimit për hapjen e çerdheve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte reaguar se ky vendim është marrë pa dhënë ndonjë udhëzim zyrtar.

“Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri ti marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë.”, thuhet në postimin e Ahmetit.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se që nga nesër do të fillojë puna në çerdhe.

“Çerdhet hapen nesër, por mbrëmë kur e kemi marrë informatën nga Qeveria për lehtësimin e masave nuk i kemi pasur rekomandimet për mënyrën e organizimit”, ka thënë drejtoresha e Arsimit, Shpresa Shala.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe  Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

“Kryetarët e Komunave vlerësojnë se në këtë rast, kishte mungesë totale të koordinimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe vetë Komunave dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë e besojmë që do jetë hera e fundit”, thuhet në njoftim.