Asociacioni i Komunave të Kosovës ankohet për mungesë të koordinimit nga Qeveria për hapjen e çerdheve

Qeveria e Kosovës ka vendosur që çerdhet të rihapen që nga sot, në të gjitha komunat e Kosovës.

Mirëpo, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) janë shprehur të pakënaqur me njoftimin për rihapjen e çerdheve.

AKK thotë se janë njoftuar me vonesë dhe se për t’i rihapur çerdhet merr kohë deri sa t’i koordinojnë dhe përgatisin gjërat.

“Më vonë, pak para mesnate komunat pranuan ‘Udhëzuesin për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe kopshteve pas pandemisë së COVID-19’. Sipas këtij dokumenti, faza përgatitore e hapjes së institucioneve parashkollore merr disa ditë kohë, meqë ka një mori masave në zbatim të plotë të Udhëzuesit dhe për të siguruar shëndetin e fëmijëve tanë”, thuhet në njoftim.

Sipas AKK, kishte mungesë të koordinimit në mes Qeverisë dhe Komunave.

“Kryetarët e Komunave vlerësojnë se në këtë rast, kishte mungesë totale të koordinimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe vetë Komunave dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë e besojmë që do jetë hera e fundit”, thuhet në njoftim.

Kërkesa e tyre është që të koordinohen edhe një herë gjërat nga Qeveria, këtu duke përfshirë jo vetëm parandalimin e përhapjes së coronavirusit, por edhe të interesit publik.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe njëherë nga institucionet qendrore që të kemi koordinim më të mirë dhe efektiv për të mirën e përbashkët dhe jo vetëm në parandalimin e pandemisë Covid-19 por edhe për çështje tjera të interesit publik”, thuhet tutje.

Kriter i komunave, është që të rishikohet edhe orari, mbipopullimi, ushqimi si dhe pastrimit i çerdheve.

“Përveç këtyre kritereve nga Udhëzuesi për hapje të institucioneve parashkollore, i shtohen edhe çështjet tjera si mbipopullimi i çerdheve, çështja e ushqimit dhe pastrimit, si tre elemente bazike në masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Gjithashtu në njoftim thuhet se komuna kanë vepruar drejtë që nuk i kanë hapur sot çerdhet, si dhe kanë filluar menjëherë angazhimin për zbatimin e kritereve dhe masave sipas udhëzuesit.

Kujtojmë se tash e 2 muaj janë mbyllur çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.

Ndërsa, nga sot kanë filluar lehtësimi i masave të fazës së tretë në nivel vendi.