Foto: CNN
Dhuna ndaj disa vajzave në një restorant në Kinë, njëri nga sulmuesit dënohet me 24 vjet burg (VIDEO)
Një burrë në Kinë është dënuar me 24 vjet burg për rolin e tij në një sulm brutal ndaj disa vajzave e grave në një restorant në qytetin Tangshan te Kinës, rast ky që tronditi vendin dhe ndezi zemërim të gjerë për dhunën ndaj grave, raporton CNN
Chen Jizhi, së bashku me katër të pandehur të tjerë, u shpallën fajtorë për sulmin e dhunshëm të katër grave me karrige, shishe, grushta dhe shqelma në një restorant në qershor, pasi njëra nga gratë refuzoi një ofertë seksuale të bërë nga Chen, u tha nga një gjykatë vendore në provincën Hebei të premten.
Videon e këtij sulmi mund ta shihni KËTU.
I pandehuri i pestë u shpall fajtor për kërcënimin e njërës prej viktimave derisa ajo donte të telefononte policisë.
Gjykata vendosi se Chen udhëhoqi një bande kriminale që kishte kryer një sërë krimesh gjatë dekadës së fundit. Ai u dënua për akuza, duke përfshirë grindje dhe provokimin e telasheve, grabitjen, hapjen e kazinove, ndalimin e paligjshëm të të tjerëve, plagosjen e qëllimshme dhe gjobitjen me 320,000 juanë (valuta kineze).
Gjykata dënoi gjithashtu 27 të pandehur të tjerë me burgim nga gjashtë muaj deri në 11 vjet për përfshirjen e tyre në krime.
Sipas gjykatës, dy nga gratë pësuan lëndime më të rënda, ndërsa dy të tjerat kishin lëndime të lehta.
Sulmi tërhoqi vëmendjen e publikut pasi pamjet tronditëse të kamerave u publikuan në internet në fillim të qershorit.
Në video, Chen shihet duke i’u afruar grave që darkonin dhe duke vendosur dorën në shpinën e njërës prej tyre. Gruaja e shtyn atë, pastaj Chen e godet me shuplakë dhe e shtyn në tokë.
Burrat e tjerë më pas i bashkohen sulmit, duke e tërhequr zvarrë për flokë një grua jashtë, duke e goditur me shishe dhe karrige dhe duke e shqelmuar vazhdimisht në kokë.
Derisa një grua që përpiqet ta ndihmojë atë, shtyhet dhe bie me pjesën e pasme të kokës në shkallë.
Videoja shkaktoi valë zemërimi dhe tmerri, duke ringjallur një debat rreth dhunës ndaj grave dhe pabarazisë gjinore në Kinë.
Por, në vend që të trajtonin dhunën me bazë gjinore, autoritetet kineze dhe media shtetërore e zhvendosën fokusin te dhuna e bandave lokale, me qytetin e Tangshanit që nisi një fushatë dy-javore për të goditur krimin e organizuar.
Në fund të muajit të kaluar, autoritetet thanë se kishin akuzuar 28 persona për sulme.
Ndërkohë, Komisioni Provincial i Hebeit për Inspektimin e Disiplinës tha se po hetonte 15 zyrtarë për korrupsion të dyshuar që përfshinte “organizata të dëmshme”.
Mes tyre, tetë zyrtarë dhe oficerë policie u ndaluan për “mbrojtje” për bandën kriminale.