Dhuna familjare prezente edhe në vitin 2022

Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të jenë prezentë edhe në fillim të vitit 2022.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

Në Graqanicë raportohet se është arrestuar një person pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima nga sulmi i pësuar ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në kryeqytet raportohet se një grua pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga ana e burrit dhe vëllezërve të tij duke pësuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe të dyshuarit janë arrestuar. Prej 3 të dyshuarave njëri prej tyre është dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Në qytetin e Ferizaj raportohet se është arrestuar një person pasi që dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajte.

Ndërsa në qytetin e Prizrenit janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Në rastin e parë dy persona, vëlla e motër janë shoqëruar në stacionin policor pasi janë rrahur në mes veti. Ndërsa në rastin e dytë raportohet se një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi ka pësuar lëndime nga ana e bashkëshortit të saj.