Detajet se si e plagosi polici të dyshuarin për vrasjen e Gazmend Hysenit, flet kryeprokurori

Në një intervistë ekskluzive në “Kallxo Përnime”, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka treguar detaje se si e plagosi zyrtari policor të dyshuarin për vrasjen e Gazmend Hysenit.

Mesnatën e 28 majit, 30 vjeçari Gazmend Hyseni është vrarë ndërsa i dyshuari kryesor për ngjarjen është Qendrim Januzi, vëllai i këngëtarit Buta.

“Kështu që më 28 maj 2022 ne orët e hershme të mëngjesit ka ndodhur një vrasje ku Qendrim Januzi dyshohet se ka privuar nga jeta Gazmend Hysenin. Me të marr këtë informacion unë kam dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësinë rajonale të hetimeve po ashtu edhe me forenziken ku kemi bërë shiqimin e vendit të ngjarjes menjëherë kemi siguruar kamerat e sigurisë të cilat e kanë incizuar atë vend të ngjarjes po ashtu qysh jeni të njoftuar edhe ju edhe opinioni i gjerë aty ka qenë i lënduar edhe personi i dyshuar Qendrim Januzi nga një zyrtarë policor i cili ka rastisë në vendin e ngjarjes”, tha Jashari.

Më tej kryeprokurori Jashari ka treguar se Njësiti i Antidrogës ka qenë duke e dërguar një person në qendrën e ndalimit.

“Dua të ju njoftoi se zyrtari policor i njësitit antidrogë, një ore e gjysmë përpara me ka njoftuar për një rast të drogës, dhe unë kam kërkuar nga ai që të ndalohet një person, bëhet fjalë jo për rastin e vrasjes por po dua me ndërlidh me rastin e lëndimit që zyrtari policor ka gjujt me revole ndaj të dyshuarit Qëndrim Januzi, në momentin kur e kam njoftuar se personi duhet me u ndalu 48 orë, meqenëse se në policinë e Ferizajt qendrat e ndalimit janë jo funksionale zyrtari policor ka qenë i detyruar që të njëjtin ta transferoj në qendrën e ndalimit në Gjilan”.

Jashari më tej ka treguar momentin qysh i dyshuari ishte hasur në zyrtarin policor.

“Kështu që në momentin që zyrtari policor ka dalë nga vetura për me marr një shishë me ujë për t’ia dhanë personit i cili ka qenë i ndaluar aty nga ana e kundërt e rrugës shihet edhe përmes kamerave të sigurisë një person vrapon në drejtim të qytetarit tjetër, i cili ka qenë duke pritur para marketit dhe ka shtënë me revole disa herë në trupin e tij dhe largohet. Në ato momente zyrtari policor thërret, bërtet policia por i njëjti nuk ndalet në urdhërat e policisë dhe për një moment në bazë të kamerave te sigurisë shihet që i dyshuari Qëndrim Januzi i cili dyshohet se ka kryer vrasjen kthehet në anën e kundërt, në anën e majtë ne drejtim të zyrtarit policor ndërsa zyrtari policor nga frika detyrohet të shtënë në drejtim të tij me qellim që ta parandalojë të dyshuarin”, potencon Jashari.

Jashari ka shtuar gjithashtu se i dyshuari Qendrim Januzi ka pasur armën në dorë kur u qëllua nga zyrtari policor.

“Polici kishte dëgjuar krismat dhe ishte kthyer e ka pa qytetarin të shtrirë dhe një tjetër duke u larguar ne drejtim të panjohur dhe u detyrua të shtijë në drejtim të tij më qëllim të parandalimit pasi që i dyshuari ka pasur armën në dorë”, theksoi Jashari.