Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

Dështimi i Kosovës për të siguruar vaksinat dhe pasojat

Dështimi i Qeverisë së Kosovës për të siguruar vaksinën kundër koronavirusit mund ta fus vendin në një krizë që do të lë pasoja në sistemin shëndetësor dhe ekonominë e vendit.

Kosova është i vetmi në rajon që nuk e ka marrë ende asnjë vaksinë kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë aplikoi për donacion në COVAX në muajin dhjetor, por kjo nuk mjaftonte. Në janar nisi disa negociata për blerjen e vaksinave nga “Pfizer” & “BioNTech”, për çka ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj deklaroi se i kanë siguruar 500 mijë doza. 

“Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500 000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania Pfizer. Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta”, deklaroi Zemaj më 5 janar. Madje ai kishte thënë se 360 mijë vaksina të tjera do të siguroheshin nga mekanizmi COVAX. 

Por vetëm disa ditë më pas u konfirmua e kundërta. Vaksinat nuk ishin siguruar. “Pfizer” deklaroi për mediat e Kosovës se nuk kishte nënshkruar kontratë me Qeverinë. 

Deklaratat e ministrit Zemaj erdhën vetëm disa javë para se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, duke e politizuar kështu procesin e sigurimit të vaksinave si dhe duke i bërë qytetarët të mendojnë se do të jenë të sigurt dhe të mbrojtur nga pandemia. 

Situatën e rëndoi edhe më shumë fushata zgjedhore, pasojat e së cilës po i shohim ditët e fundit me rritjen e shifrave.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, prej 19 shkurt deri 28 janë regjistruar mbi 3,800 raste të reja apo mbi 1,000 raste më shumë në krahasim nga 9 deri me 19 shkurt.

Por pasojat e mungesës së vaksinave dhe shtimit të rasteve me  COVID-19 janë më të mëdha sesa duken në numrat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është rritur dukshëm numri i pacientëve të regjistruar në listat e pritjes për të kryer intervenime kirurgjike.

 Në Klinikën e Kardiologjisë Invazive janë mbi 600 pacientë që presin për të vendosur stenta ndërkohë që në vitin 2019 numri i atyre që prisnin ishte i papërfillshëm,. Ndërkohë, në Klinikën e Urologjisë janë rreth 300 qytetarë në listën e pritjes për operacione, e në vitin 2019 ky numër ishte përgjysmë më i vogël.

Menaxherët e këtyre klinikave kanë deklaruar se nga janari kanë filluar t’i ftojnë pacientët për operacione, por një pjesë e tyre fatkeqësisht kanë ndërruar jetë e disa të tjerë i kanë kryer në spitalet private. 

Listat e pritjes janë një problem i moçëm në QKUK, por këtë situatë e ka rënduar edhe më shumë pandemia e cila në Kosovë nisi më 13 mars të vitit të kaluar. Vetëm dy ditë më vonë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kishte vendosur që të pezullonte operacionet e ftohta dhe punën në ambulancat specialistike. Ky vendim ishte marr për të mbrojtur stafin mjekësor për shkak të mungesës së burimeve njerëzore.

Shërbimet u rikthyen më 5 janar të këtij viti, por rrezikohen të pezullohen sërish. Nëse do të ndodhë kjo, atëherë shëndeti dhe jeta e qytetarëve do të vazhdojë të rrezikohet. Kjo për faktin se sëmundjet e pacientëve mund të shndërrohen në probleme akute dhe të trajtohen me vonesë. 

Fatkeqësisht në Kosovë ka filluar një fazë tjetër e rritjes së numrit të personave të infektuar me  COVID-19. Para dy javësh përqindja e numrit të rasteve pozitive ka qenë rreth 8 për qind nga numri i të testuarve, ndërsa në javën e fundit kjo përqindje është dyfishuar. Kjo rritje e të infektuarve nënkupton edhe rritje të numrit të pacientëve që kanë nevojë të hospitalizohen. Kështu spitalet dhe stafi mjekësor do të përballen sërish me mbingarkesë dhe vështirësi për t’u kujdesur për fluksin e pacientëve.

Rritja e numrit të pacientëve në spitale do të detyrojë Qeverinë të shtrëngojë masat dhe kjo do të sjellë pasoja në ekonominë e vendit, e cila edhe ashtu është e dërmuar tash e një vit për shkak të mbylljes. Banka botërore në tetor të vitit të kaluar kishte thënë se ekonomia e Kosovës ka pësuar një tkurrje deri në 8 përqind për shkak të pandemisë.

Krejt këto janë pasoja të dështimit të Qeverisë për të siguruar vaksinat. Këto të fundit, jo se do t’i jepnin fund pandemisë në vendin tonë, por do ta lehtësonin përgjigjen e institucioneve për menaxhimin e saj. Së paku do të sigurohej stafi mjekësor nga infeksioni, si dhe do të mbronim jetën e kategorive vulnerabile, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Kështu menaxhimi do të mund të bëhej me masa më të lehta.

Por ku jemi tani në procesin e sigurimit të vaksinave. Pasi iu dështoi procesi me “Pfizer”, Zemaj u zotua se vaksinat do të sigurohen nga Covax deri në fund të muajit shkurt. 

Covax në fillim të muajit shkurt e ka vendosur Kosovën në listën e vendeve që do të përfitojnë vaksina falas. Janë rreth 100 mijë e 800 vaksina AstraZeneca të prodhuara nga kompania ‘Bioscience’ në Korenë e Jugut, që vendi ynë pritet t’i marr falas, për dallim nga të gjitha vendet e rajonit të cilat janë deklaruar si vet-financuese dhe pritet të sigurojnë numër më të madh të dozave.

Gjithsesi edhe këto 100 mijë vaksina për Kosovën ende nuk janë të sigurta nëse do të mbërrijnë në muajin mars. 

 

Por Covax ka deklaruar se së shpejti do të publikojë listën e vendeve që i kanë plotësuar këto kritere dhe të cilat do të përfitojnë donacionin gjatë muajit mars. Nëse Kosova nuk do të jetë në këtë listë, atëherë vaksinat nuk do të duken as në horizont.

Në cilin do rast, Kosova nuk do të duhej të priste Covax për vaksinat. Qeveria për aq sa do të jetë në detyrë, ose struktura e re e cila pritet të vijë pas certifikimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, do të duhej të angazhoheshin më tepër në lobim dhe në sigurimin e vaksinës përmes fondeve nga buxheti i shtetit.

Në buxhetin për vitin 2021 janë të alokuara 40 milionë euro për vaksinat kundër COVID-19.  

Një strategji të qartë, me një angazhim të të gjitha kapaciteteve institucionale dhe diplomatike, Kosova do të mund të vendoste kontakte për të siguruar së paku vaksina për punëtorët shëndetësorë dhe grupet vulnerabile.

Në të kundërt, në pamundësi për të parandaluar, do të duhet të merremi me problemin e quajtur  COVID-19 i cili ka gjunjëzuar shtete edhe më të fuqishme sesa Kosova.

 

Bujar Vitija është kryeredaktor i Gazetës Shneta.

Pikëpamjet e paraqitura në sektorin e opinioneve nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin e BIRN/KALLXO.com