KEDS - Foto: KALLXO.com

Deri tani, 2 punëtorë me COVID-19 në KEDS

2 punëtorë të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji elektrike, KEDS, kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Viktor Buzhala zëdhënës i KEDS  tha për KALLXO.com se të infektuarit kishin qenë në vetizolim.

Buzhala shtoi se ka edhe punëtorë të tjerë brenda  KEDS që janë vetizoluar pas kontakteve me familjarë të tyre, që kanë rezultuar pozitiv me virusin corona.

“ 2 janë të infektuar, por janë raste kontakti në rrethet e tyre familjare. Që të dy, disa ditë para se të dalin pozitiv kanë qenë në vetizolim. Të gjitha rastet e kontakteve të tyre brenda KEDS-it kanë dalur negativ. Por, ka punëtor që janë në vetizolim pasi kishin kontakte me persona që kanë rezultuar pozitiv në rrethet e tyre familjare. Janë disa, dmth nuk është numër i madh”, ka thënë ai.

Buzhala tha se përkundër mungesës së punëtorëve dhe situatës po arrijnë ta menaxhojnë mirë punën e tyre.

“ Kompania i ka rreth 2200 punëtorë, pjesa më me madhe  e të cilëve punojnë vazhdimisht në terren, madje edhe në vatrat e nxehta pandemike. Por, deri sot nuk është infektuar askush, pasi bëhet fjalë për masa strikte mbrojtëse dhe operative, të cilat janë obligative për secilin punëtor. Në vazhdimësi, për t’i mbrojtur edhe me tepër ne i kemi liruar edhe për në shtëpi rastet e ndjeshme, siç janë të moshuarit, shtatzënat apo ata me sëmundje kronike”, thekson zëdhënësi i KEDS-it.

Deri më tani në vendin tonë janë 1615 persona të infektuar me COVID-19, 963 të shëruar dhe 34 të vdekur.