Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Deri më tani 470 kërkesa për kthimin e patentë-shoferëve ilegalë në RKS

Deri më 28.05.2024 janë bërë 470 kërkesa nga qytetarët serbë në Kosovë, të cilët kanë shprehur gatishmëri që të bëjnë zëvendësimin e patentë-shoferëve të lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare – të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Sipas udhëheqësit të Divizionit për patentë-shoferë në Agjencinë e Regjistrimit Civil, Rifat Limani deri sot, më 28.05.2024 janë gjithsej 470 kërkesa për tu bërë ky zëvendësim.

Limani në një intervistë për KALLXO.com kishte shpjeguar se çfarë u duhet dhe sa duhet të presin qytetarët për të përfunduar procedurën e kthimit të patentë shoferëve në RKS.

Ai tregoi se qytetarët duhet të aplikojnë në qendrat për pajisje me dokumente në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

“Dokumentacioni i cili është i nevojshëm duhet certifikata e mjekut për të vërtetuar aftësitë shëndetësore të shoferit, pastaj letërnjoftimi i Republikës së Kosovës, të dorëzohet origjinali i patentë shoferit, të bëhet pagesa në shumën prej 15 eurove dhe pastaj kryhet aplikimi” – tha ai.

Udhëheqësi i Divizionit për patentë shoferë tha se brenda 15 ditëve qytetarët pajisen me patentë-shoferë të Republikës së Kosovës.

Limani shpjegoi se të gjithë patentë shoferët të lëshuar nga strukturat jolegale serbe pas datës 10.06.1999 kanë të drejtë ta konvertojnë atë patentë shofer në patentë shofer të Republikës së Kosovës.

“Patentë shoferi i konvertuar vlen për të gjitha kategoritë pa përjashtim” – shtoi ai.

Sipas Limanit në vendim të MPB-së specifikohet se pas përfundimit të këtij procesi, i cili vlen deri më datë 09.08.2024, patentë shoferi i strukturave jolegale serbe nuk mund të përdoret në komunikacion, në trafikun rrugor të territorin e Republikës së Kosovës.

“Me vetë pikën e tetë nënkupton që këta qytetarë do t’i nënshtrohen procedurave të kundërvajtjes në trafik, për arsye se nuk do të lejohet përdorimi i këtyre patentë shoferëve pas kësaj date” – tha ai.

MPB më 07.05.2024 ka sqaruar se kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për pajisje me dokumente.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-adresimi në gjuhën serbe, ka deklaruar se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.

“Kalimi në patentë shoferë RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”- është shprehur Kurti.

Ky vendim kishte hyr në fuqi më 09.05.2024 dhe është valid deri më 09.08.2024.

Kthimi i patentë shoferëve ilegalë në RKS, deri tash 128 kërkesa