Foto: Alicia Kearns/ Twitter

Deputetja britanike takohet me Kurtin: Kosova ia vlen të mbrohet

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Britanik dhe deputetja britanike, Alicia Kearns, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kearns pas takimit është shprehur se Kosova ia vlen të mbrohet teksa ka shtuar se me Kurtin kanë diskutuar se si të shtensionohet situata në veri të vendit.

“Kosova ia vlen të mbrohet. Duhet të qëndrojmë krah partnerëve tanë. Ishte shumë produktiv takimi me Kryeministrin Albin Kurti këtë mëngjes, për të diskutuar se si të de-përshkallëzohet situata, kthimi i tre policëve të rrëmbyer kosovarë, mbështetja e komunitetit serb në Kosovë dhe milicia e mbështetur nga Beogradi” – ka shkruar Kearns në Twitter.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Kurti takoi deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group).

“Kryeministri Kurti foli me ta për progresin që Kosova ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë, 15 vjet më parë, e veçanërisht për arritjet në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të sundimit të ligjit në dy vitet e fundit të qeverisjes, të vërtetuara nga shumë raporte kredibile ndërkombëtare. Ai i njoftoi ata edhe me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri të vendit, me agresionin e bandave kriminale dhe të shtetit të Serbisë, dhe me qasjen parimore të Republikës së Kosovës për shtensionim të situatës dhe me angazhimin konstruktiv të saj në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian drejt normalizimit të plotë” – thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mikpritjen nga deputetët e Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë e po i japin Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.​

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Ndërkaq sot, tre policët e Kosovës që po mbaheshin në paraburgim tash e 12 ditë në Kralevë të Serbisë sot janë liruar.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.