Deputeti Muja sfidohet në studio për deklaraimin e ministres Rizvanolli për fitimin e ndërmarrjeve publike

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, e ka pranuar se 17 ndërmarrjet publike të cilat i raportojnë Ministrisë së Ekonomisë, nuk operojnë të gjitha me fitim, siç ka lënë të kuptohet ministrja Artane Rizvanolli përmes një postimi në Facebook.

Më 24 maj, ministrja Rizvanoli kishte shkruar se 17 ndërmarrje publike e kishin mbyllur vitin 2022 me 101,4 milionë euro, por që nuk kishte dhënë detaje se nga kjo shifër 97.3 % janë vetëm të KEK-ut, si dhe Telekomi, Trepça apo Posta kanë punuar me humbje.

Deputeti Armend Muja në emisionin #KallxoPërnime tha se tek ndërmarrjet publike gjatë viteve 2021 dhe 2022 ka rritje të qarkullimit.

“Siç e shihni është njëfarë ulje ndërmjet vitit 2014 deri në vitin 2020. Kur jemi ardhë në vitin 2020 këto ndërmarrje kanë pasur, shumica prej tyre diku 5-6 vjet kanë funksionuar me humbje. Prej  vitit 2015 kanë dalë me humbje, 2016 është me humbje, 2018 me humbje dhe e vërteta prej vitit 2020 e këndej si total ndërmarrjet janë dalë me fitiim. Ku është rënia e qarkullimit në vitin 2012, i atribuohet kryesisht do të thoja shkatërrimit të Telekomit” – tha Muja.

Tutje, Muja ka thënë se nga 120 milionë euro që i ka pasur qarkullim Telekomi, deri në vitin 2020 ka rënë në 40-50 milionë euro.

Sipas tij, për herë të parë që nga viti 2014 Telekomi në vitin 2023 ka dalë me 7.1 milionë euro fitim.

“Si 17 ndërmarrje vetëm tre i kemi marrë me fitim, vetëm tri kanë qenë me fitim. Tash janë 9 me fitim. 7 prej tyre vazhdojnë ende me punu me humbje. Prej shtatë kompanive të ujësjellësit, vetëm dy prej tyre vazhdojnë të punojnë me humbje” – ka thënë Muja.

Deputeti Muja ka thënë se numri i punëtorëve nëpër ndërmarrjet publike që nga viti 2012 vazhdimisht është rritur, e sipas tij në vitet 2021 dhe 2022 ka pasur ulje.

“Në dy vitet e fundit, për vitin 2021 dhe vitin 2022 mu më dalin që ka një tendecë pozitive ose rikthim të ndërmarrjeve publik dhe kjo ka ndodhur për shkak të kufizimit të numrit të punëtorëve, pra nuk po punësohen më shumë njerëz në ndërmarrje dhe performancës më të mirë” – tha Muja.

Në emisionin Kallxo Përnime është duke u debatuar për ndërmarrjet publike në Qeverinë Kurti 2. Të ftuar në debat janë deputeti Armend Muja; Nagip Skenderi njohës i ekonomisë dhe profesor në UP; Jakup Bellaqa njohës i ekonomisë dhe Ibrahim Jonuzi kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.