Deputeti Berisha: Se kam votuar buxhetin e Kosovës sepse nuk u mbështetën komunitetet

Në emisionin “Jeta në Kosovë” , po diskutohet për rrezikun e prekjes me Covid-19 në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha tha se ka kërkuar nga qeveria aktuale të ndajë fonde shtesë për komunitetet që të luftojë pandeminë, por se sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhë.

“Unë me 14 të këtij muaji e kam paraqit gjendjen e këtij komuniteti në tërësi, pos masave që i kam përshëndet kam kërkuar mbështetje buxhetore institucionale nga direkt kryeministri në Kuvend dhe nga qeveria dhe njerëz brenda Qeverisë është kërkuar me shujtë dhe me votu buxhetin, por asnjë cent për situatën aktuale”, tha Berisha.

“Se kam votuar buxhetin sepse nuk ka pasur asnjë linjë buxhetore që është paraparë për këto komunitetete”, ka shtuar ai.

Sipas Berishës, me datën 20 i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe e ka lajmëruar për gjendjen e komuniteteve.

“ I kam tregu se gjendja është alarmante, rreth 15 mijë familjë janë në gjendje të rendë ekonomike edhe nuk kanë qasje në ujë, jetojnë me mbeturina dhe bëhet thirrje me i pastru duart, derisa njerëzt jetojnë mbi papastërti”, tha deputeti.

Deputeti nuk u pajtua me anëtarin e shoqërisë civile se po bëhen përfitime personale në kohën e coronavirusit.

“Veprimi më i mirë që ka ndodhë është edhe mobilzimi i shoqërisë civile me kriju ekip emergjent dhe me kërku ndihma prej njerëzve të caktuar. Derisa ne instuticionet nuk mund të bëjmë gjë, shoqëria civile është mirë me i lënë njerëzit me vepru”, tha ai.

Sipas Berishës, ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, nuk po bëhet ‘zëri’ i komuniteteve në Shtabin e Emergjencave të Qeverisë.

“Respekt për ministren, e kam kolege dhe është në shtabin e emergjencave, por asnjëherë këto komunitete nuk janë diskutuar. Gjendja e tyne s’është trajtuar akoma s’kam një përgjigje zyrtare në raport me këtë, dhe sot ne kur po flasim njerëzit janë në teren edhe duke i rrezikuar me prezencën e njerëzve”, tha Veton Berisha.