Deputetët rekomandojnë shkarkimin e bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale

Me 7 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, komisioni për Ekonomi i ka rekomanduar Kuvendit shkarkimin e bordit të Komisionit të Minierave dhe Minieraleve.

Propozimin e bëri deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Kjo nën arsyetimin për shkelje të ligjit dhe mënyrën se si ka funksionuar ky bord deri tash.

“Unë kisha dasht me hedhë në votim, rekomandimin që për shkak të gjithë kësaj situate, shkeljen e ligjit, dhe mënyrën sesi ka funksionuar bordi, të nxjerrët rekomandim që të shkarkohet bordi veç e veç dhe vendimet që janë marrë pas datës 23 gusht të anulohen” – tha ai.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës tha që e përkrah një propozim të tillë.

“Këta është dashtë me shku në shtëpi moti” – tha ai.

Anëtarët e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë shkarkuar kryesuesen e këtij bordi, Selvete Grajqevci – Pllana.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, Pllana bëri të ditur se është shkarkuar pa dijeninë e saj dhe në formë të kundërligjshme.

Neni 60 i Ligjit për miniera dhe minerale përcakton që anëtari i bordit shkarkohet nga Kuvendi.

Në dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Selvete Grajqevci Pllana është zgjedhur kryesuese e bordit ndërsa anëtarët e tjerë të këtij bordi janë: Jahir Gashi, Gani Kastrati, Gani Maliqi dhe Rrezarta Pushkolli Makolli.