Foto: Dimitro Sevastopol

Delegacioni rus ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime me Ukrainën

Delegacioni rus ka mbërritur në Gomel të Bjellorusisë për bisedime me Ukrainën.

Sipas medias Sky News, këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, ka thënë se delegacioni rus mbërriti në Gomel në Bjellorusi për bisedimet e paqes, që sipas tij, “është e pakuptimtë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy hodhi poshtë një ofertë ruse për bisedime në Bjellorusi të dielën, duke thënë se vetë Minsk ishte bashkëpunëtor në pushtimin rus. Ai tha se ishte i hapur për negociata në vende të tjera.

Kremlini tha të dielën se delegacioni i tij ishte gati të takonte zyrtarët ukrainas në qytetin Gomel.

Zhvillimet e fundit në Ukrainë janë se forcat ruse kanë hyrë në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë.

Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkua, Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Kanada njoftuan se kanë marrë vendim që t`i përjashtojnë nga sistemi SWIFT disa banka të përzgjedhura të Rusisë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.