Del para Gjykatës së Apelit kosovari i akuzuar se veshi fëmijën me eksploziv në Siri

Dënimi prej 5 vite e 6 muaj burg po i duket i ulët Prokurorisë për Visar Qukovcin, që u dënua nga Gjykata Themelore për terrorizëm dhe keqtrajtim të fëmijës. Ndërsa avokati i të akuzuarit po e quan dënimin shumë të lartë.

Qukovci po akuzohet se shkoi në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it ku më pas kishte punuar si infermier. Sipas prokurorisë,  në shtëpinë që ia kishin dhënë anëtarët e ISIS-it, i akuzuari e kishte veshur me jelek me eksplozi (hizam) djalin tre vjeçar duke i dhënë edhe automatikun i kishte thënë “merre kallashin gjuaj bam-bam”.

Sipas prokurorisë të gjitha këto veprime i ka inçizuar në video- kamerë, ndërsa Qukovci e kishte pranuar fajësinë për terrorizëm.

Sot është mbajtur seanca në Gjykatën e Apelit lidhur me këtë rast, në mungesë të përfaqësuesit të  Prokurorisë së Apelit.

Megjithatë, mbrojtja e të akuzuarit pati disa pika që ia prezantoi gjykatës lidhur me rrethanat lehëtësuese që sipas tyre është dashur të merren parasysh nga gjykata që e dënoi Qukovcin..

Mbrojtësi i të akuzuarit Argjent Tigani në fjalën e tij deklaroi se kanë hasur në disa shkelje.

”Pas parashtrimit të ankesës lidhur me sanksionin penal kemi hasur në disa shkelje. Gjykata Themelore nuk ka bërë llogaritjen e kohës sa ka qëndruar i mbrojturi im në paraburgim, në vendin prej të cilit është riatdhesuar në Kosovë.” , tha avokati, i cili propozoi të të llogaritet edhe kjo kohë.

Avokati gjithashtu argumentoi se gjykata vendore nuk ka juridikson lidhur me veprën e keqtrajtimit të fëmijës që ka ndodhur në një shtet tjetër, përkatësisht në Siri. Ai kërkoi që gjykata ta lirojë të akuzuarin nga kjo pikë e aktakuzës.

“Ndërkaq sa i perket vepres penale keqtrajtimi apo braktisja e fëmijëve nuk bie nën juridiksionin e Kosovës ta gjykojë këtë rast, për shkak se kjo do të duhej të gjykohet në vendin ku është kryer vepra penale e pretenduar.  Sa i përket kësaj vepre penale, Gjykata Themelore nuk ka vleresuar sipas detyrës zyrtare se a ka kompetencë për gjykim”,  tha ndër të tjera Tigani.

Ai gjithashtu propozoi që dënimi të zbutet pasi i akuzuari ka qenë infermier, dhe “pozicioni i tij në luftë ka dallim nga pjesëtarët e tjere të organizatë”.

Tutje,i akuzuari Visar Qukovci kundërshtoi pretendimet e prokurorisë lidhur me faktin se ka bërë propagandë, pasi sipas tij videon në fjalë e ka pasur në USB personale, mirëpo asnjeherë nuk e ka publikuar.

Veprimi i paprecedent i kosovarit si ish-pjesëtar i ISIS-it, e veshi djalin 3 vjeçar me eksploziv