Veprimi i paprecedent i kosovarit si ish-pjesëtar i ISIS-it, e veshi djalin 3 vjeçar me eksploziv

Gjykata e Prishtinës e gjeti fajtor Visar Qukovcin për veprën penale pjesëmarrje në terrorizëm.

Visar Qukovci është dënuar me  burgim prej 5 vite e 6 muaj për veprat penale organizmin dhe pjesëmarrje në terrorizëm dhe keqtrajtim, apo braktisje e fëmijës.

Sipas  aktakuzës së prokurorisë Visar Qukovci, në prill të vitit 2014 me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS së bashku me A. U., nga fshati Nerodime Komuna e Ferizajt, kishin lëshuar territorin e Kosovës për të shkuar në Siri.

Sipas aktakuzës, rruga që kishte përshkuar i akuzuari Visar Qukovci ishte Hani i Elezit për në Maqedoni, pastaj nga Maqedonia në Bullgari, pastaj nga Turqia në Siri.

Prokuroria thotë së i akuzuari Qukovci, me të mbërritur në Siri ishte pritur nga pjesëtarët e kësaj organizate e më pas ishte sistemuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it, e gjatë gjithë kohës ishte i veshur me uniformë, i pajisur me armë automatike dhe jelek me eksploziv (hizam).

Poashtu i akuzuari Visar Qukovci në shtëpinë që ia kishin dhënë anëtarët e ISIS-it, e kishte veshur me jelek me eksplozivë (hizam) djalin tre vjeçar duke i dhënë edhe automatikun i kishte thënë “merre kallashin gjuaj bam-bam”, të gjitha këto veprime i ka inçizuar në video kamerë.

Në dhjetor të vitit 2017, i akuzuari Qukovci ishte arrestuar nga forcat demokratike siriane ku ka qëndruar deri në prill të këtij viti pastaj është riatdhesuar në Kosovë.