Deklarata e parë e Albin Kurtit pas rrëzimit të qeverisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e quajti rënie të domosdoshme për ngritjen e nevojshme, rrëzimin e Qeverisë së tij.

Ai përmes reagimit në Facebook, thotë se pa rënë qeveria si përbërje, nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi”, shkruan Kurti.

Kurti ka thënë se do të vazhdojnë si qeveri në detyrë, pasi që sipas tij, janë qeveri me detyra dhe jo e detyruar.

“Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë. Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë. Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, ka shkruar Kurti.

“Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua dje nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim nga 117 deputetë ishin të pranishëm në sallë.