Dëgjohen dëshmitarë në rastin ku zyrtarët policorë të Leposaviqit akuzohen për krim të organizuar

Ana Vasoviq – Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, polic kufitarë në Leposaviq, janë të akuzuar nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar, keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.

Në këtë rast kanë qenë të akuzuar edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq për kontrabandë me mallra, mirëpo të njëjtit kanë pranuar fajësinë dhe u është shqiptuar dënimi.

Në këtë seancë, mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar dëshmitarët Veli Beqiri, Vlladan Gjurgjeviq e Sllagjan Jovanoviq.

Dëshmitarët e ftuar nga prokurori Burim Çerkini deklaruan se nuk mund të konstatonin se zyrtarët e akuzuar në këtë rast kanë pasur ndonjë rol kryesor duke potencuar që rolin kyç e ka pasur komandanti i rajonit policor, Rade Radosavljeviq.

Njëri nga dëshmitarët e rastit, i cili me profesion ishte polic, njoftoi gjykatën me mënyrën e rregullimit të patrullave në rajon, ku udhëheqëse e njërit nga turnet e punës ishte edhe e akuzuara në rast, Ana Vasoviq – Baraq.

Si përgjegjës tjetër, dëshmitarët tregojnë për njërin nga të akuzuarit Milan Jovanoviq – i njohur si “Llaki” i cili sipas tyre, kishte kontakte më të shpeshta me të akuzuarin tjetër, Rade Radosavljeviq, të cilët gjenden në arrati.

“Unë kam punuar te Ana Vasoviqi, gjë në dorë nuk ka pas, se ka vet kush, krejt qaj Llaki i ka kry, nër sy meje s’kanë marrë pare, ama këta kanë jetuar në pjesën veriore, kanë mund me marrë pas orarit të punës”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, dëshmitarët bënë të ditur që ekzistojnë mbi 20 rrugë ilegale pranë kufirit verior nga të cilat kontrabandistët bëjnë qarkullimin e mallrave në mënyrë ilegale.

Sipas aktakuzës, Prokuroria Speciale akuzon, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq.

Sipas aktakuzës, që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror duke keqpërdoruar detyrën dhe pranuar ryshfet, me veprimtarinë e tyre kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar duke funksionuar si grup kriminal i organizuar që është  marrë me kontrabandë të mallrave ushqimore, transport të drurëve, barnave dhe derivateve nga Serbia në Republikën e Kosovës.

https://kallxo.com/ligji/policet-e-akuzuar-per-krim-te-organizuar-ballafaqohen-me-deklaratat-e-deshmitareve/

Policët e akuzuar për krim të organizuar ballafaqohen me deklaratat e dëshmitarëve