Dega e LVV-së në Malishevë: Nuk mbështesim asnjërin kandidat për kryetar

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë ka deklaruar se nuk mbështesin asnjërin kandidat për kryetar në rundin e dytë që pritet të mbahet më 14 nëntor.

Sipas LVV-së, subjektet e mbetura në garë nuk përbëjnë ndryshim dhe janë të njëjtat si nga mendësia qeverisëse si nga akterët.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Malishevë, nuk mbështetë asnjërin subjekt politik dhe asnjërin kandidat që do të garojë në balotazh. E vlerësojmë që votuesit tanë të vendosin vetë se si do të veprojnë më 14 nëntor. Ne besojmë fuqishëm që aktivistët, simpatizantët dhe mbështetësit e devotshëm të Lëvizjes kanë ditur të veprojnë racionalisht në çdo rrethanë politike të krijuar, ata në vazhdimësi kanë mbrojtuar interesin e përgjithshëm qytetarë dhe për këtë kanë qenë të palëkundur dhe kështu stoik e të palekundur jemi të bindur që do të mbesim edhe tani edhe çdoherë tjetër”, thuhet në njoftimin e degës së LVV-së në rrjetin social “Facebook”.

LVV tutje ka pretenduar se dy subjektet që janë në garë u ndanë për interesa të ngushta klanore, por “mbetën të bashkuar gjithmonë në afera korruptive dhe në zhvatje të pasurisë publike”.

“Subjektet e mbetura në garë nuk përbëjnë ndryshim, janë të njëjtat si nga mendësia qeverisëse, si nga përbërja me akterë të korruptuar dhe mbi të gjitha janë të njejtit të cilët qe katër mandate rresht e kanë keqqeverisur Malishevën dhe e kanë përdhosur dinjitetin e secilit qytetarë të saj. Ata u ndanë për interesa të ngushta klanore, por mbetën të bashkuar gjithmonë në afera korruptive dhe në zhvatje të pasurisë publike”, thuhet tutje në njoftim.

Në zgjedhjet e 17 tetorit në komunën e Malishevës kanë shkuar në balotazh Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate me 34.3% dhe Isni Kilaj nga PDK me 29.0%.