Pamje të rënda trupat e të vdekurve duke u nxjerrë nga QKUK

Në Kosovë sot është shënuar edhe një vdekje si pasojë e infeksionit me COVID-19 duke e rritur edhe më tej numrin e viktimave nga ky virus.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe infektologu, Sali Ahmeti.

Ahmeti tha se viktima ka qenë duke u trajtuar tash e tri javë në Klinikën Infektive në QKUK, por ai nuk arriti të tejkalojë këtë sfidë.

Gjithashtu Ahmeti njoftoi se i ndjeri kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Fatkeqësisht sot në orët e hershme të mëngjesit e kemi pasë një përfundim me vdekje. Ai ka qenë një pacient i cili ka qenë me infeksion të rëndë me COVID me influrtime mushkërore masive të dyanshme dhe i cili ka qenë i shtrirë që nga 12 gushti dhe krahas infeksionit mjaft serioz me COVID ai ka pasë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, ka pasë një infeksion viral”, konfirmoi infektologu.

Deri më tani në nivel vendi 13 mijë e 454 persona janë prekur nga coronavirusi, prej të cilëve 9,595 janë shëruar.

Media amerikane ‘Bloombarg’ ditë më parë ka radhitur Kosovën në listën e parë për nga numri i vdekjeve nga COVID-19 në 1 milion banorë.

Vetëm dje në nivel vendi kanë vdekur nëntë persona të infektuar me coronavirus duke e çuar në 525 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.