Foto: europa.eu

'Çnjohja' e Kosovës - A ekziston diçka e tillë?

Herë pas here, liderët shtetërorë të Serbisë dalin me deklarata në lidhje me vendet që po tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Së fundmi, një gjë e tillë është bërë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka pretenduar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njëjtë.

“Kemi nëntë (vende) që kanë tërhequr njohjen – Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Maldivet, Shën Lucia, ne jemi duke pritur për të dhjetin” – citohet të ketë thënë Vuçiq sipas raportimit të Tanjug.

Një ditë pas deklaratës së presidentit serb, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës ka reaguar në lidhje me këtë çështje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen” – thuhet në reagim.

Sipas deklaratës se MPJD-së, një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të Kosovës.

“Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale. Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë”- thuhej tutje në reagim.

KALLXO.com ka kontaktuar qeveritë e këtyre vendeve dhe është në pritje të përgjigjeve të secilit prej vendeve të përmendura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa, në web-faqen e MPJD-së, është e publikuar lista e njohjeve të pavarësisë së Kosovës në të cilën janë 117 vende, duke përfshirë edhe këto për të cilat presidenti serb pretendon se kanë tërhequr njohjet.

Politologu Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se në diplomaci nuk ekziston akti i çnjohjes së një kombi.

“Nuk ekziston si akt, akti i ç’njohjes, kur Kosova njihet prej një shteti i dërgohet nota e njohjes Qeverisë së Kosovës. Nuk ka logjikë të ekzistojë akti i çnjohjes. Nëse nuk e njeh një komb, përkatësisht nuk e njeh pavarësinë e sovranitetin e shtetit që ka krijuar ai komb, nuk ke kujt të ja dërgosh atë notë. Nëse nuk e njeh atë shtet nuk mund të komunikosh me dikë që nuk e njeh” – tha ai.

“Ne nuk e njohim ekzistencën e banorëve të planetit Mars, andaj nuk kemi se si të komunikojmë me ta. Nëse do t’i njihnim do të ishte jashtë logjike t’u thoni më pas atyre jo jo ju nuk ekzistoni. Nëse ata do të zhdukeshin, ne mund të konstatojmë se janë zhdukur por nuk do të mund të pohonim se nuk kanë ekzistuar nëse veç një herë do ta njihnim ekzistencën e tyre. Sot nuk ekziston më shteti Gjermania Lindore, por ai nuk është çnjohur, thjeshtë nuk ekziston më ”- shtoi ai.

Sipas tij, në diplomaci mund të ketë ngrirje të marrëdhënieve diplomatike. Profesor Spahiu ka përmendur rastin e SHBA-së dhe Shqipërisë.

“Ka prishje ose pushim të marrëdhënieve diplomatike. Ja një shembull, në vitin 1922 SHBA-ja e kanë njohur Shqipërinë dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me të. Në vitin 1945 i kanë ndërprerë marrëdhëniet, është mbyllë ambasada e SHBA në Tiranë. Më 1991 janë rivendosur marrëdhëniet diplomatike, është vendosur ambasada amerikane në Tiranë dhe ambasada shqiptare në Uashington, por nuk ka pasur aty akt të rinjohjes vetëm rivendosje të marrëdhënieve diplomatike”- tha ai.

Profesor Spahiu ka vlerësuar se deklaratat për tërheqje të njohjeve e dëmtojnë Kosovën sepse mund të ndikojnë tek vendet që kanë hezitim.

“Këto raportime e dëmtojnë Kosovën, sepse edhe nëse nuk ka efekt juridik ka efekt praktik i cili është që i bënë tjerët që të hezitojnë të të njohin, por përgjithësisht shtetet që i ka përmend presidenti serb, nuk janë shtete serioze, nuk janë shtete që kanë ndonjë peshë në arenën ndërkombëtare” – ka theksuar ai.

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në intervistë në ‘Kallxo Pernime’ ka mohuar që gjatë mandatit të saj të ketë pasur ndonjë njoftim nga ndonjë shtet për tërheqje të njohjeve.

“Ne nuk kemi asnjë informacion për një listë të tillë të thashethemeve që kanë qenë publike, jemi përpjekur ti verifikojmë dhe kemi konkluduar që Vuçiq synon të manipuloj në rradhë të parë opinionin në Serbi dhe pastaj edhe të tjerët me listat që përmend sepse s’kemi parë asnjë indikacion që ndonjëri prej shteteve që mund të jetë në këtë proces” – pati thënë ajo.

Njohja e fundit Kosovës i ka ardhur më 1 shkurt të vitit 2021, si zotim i marrëveshjes së Uashtingtonit.

Marrëveshja e Uashtingtonit e nënshkruar më 4 shtator 2020 kishte paraparë edhe moratoriumin një vjeçar sipas të cilit Serbia do të ndalonte fushatën largimin e njohjeve të shtetit të Kosovës ndërsa Kosova për 1 vit do të ndalonte aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që liderët serbë flasin për ‘çnjohje’ të pavarësisë së Kosovës. Një gjë e tillë është bërë edhe në janar të vitit 2020, teksa po i drejtohej Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin serb, ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, kishte deklaruar se 17 vende e kanë tërhequr njohjen ose janë duke i ridefinuar pozicionet e tyre për Kosovën, shtete si: Ghana, Burundi, Lesotho, Sao Tome, Surinami, Liberia, Guinea e re, Dominika, Grenada, Guinea- Bissau, Unioni i Komoros, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika e Afrikës qendrore dhe Nauru.

Në qershor të vitit 2019, Daçiq deklaroi se Republika e Afrikës Qendrore ka tërhequr njohjen. Kosova i quajti këto deklarata si “fake news”, dhe më pas e akuzoi Serbinë se kishte paguar 340,000 mijë dollarë për këtë vendim.