Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Reagon Ministria e Punëve të Jashtme pas pretendimeve të Vuçiqit për tërheqjen e njohjeve nga 9 shtete
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar në lidhje me pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
MPJD ka deklaruar se nuk ka asnjë njoftim rreth pretendimeve se disa shtete e kanë tërhequr njohjen.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen” – thuhet në reagim.
Sipas deklaratës se MPJD-së, një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të Kosovës.
“Çështjet e hapura mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë zgjidhen me dialog dhe jo me kampanja destruktive mediale. Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë”- deklaron MPJD-ja.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë ka pretenduar se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Serbisë edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njëjtë.
Siç raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, në konferencën e përvitshme për media, Vuçiq ka thënë se 106 shtete nuk e kanë njohur Kosovën, 84 e kanë njohur pa mëdyshje, e 3 të tjera “nuk janë të qarta”.