
Çeku: I paprecedent dhe i papranueshëm ndalimi i shfaqjes së dy filmave nga autoritetet serbe në Bujanoc
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka quajtur të paprecedent dhe të papranueshëm rastin e mbrëmshëm në Komunën e Bujanocit, ku u ndalua shfaqja e dy filmave në Shtëpinë e Kulturës.
Çeku ka thënë se një ditë para shfaqjes së filmave, Policia e Serbisë i ka marrë në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave.
“Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës. Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë” – ka shkruar ministri Çeku në Facebook.
Ai më tej e ka quajtur përgënjeshtërimin më të madh se Serbi ka ndryshuar apo se mund të ndryshojë pikërisht për shkak të “politizimit nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.
Ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria e Kosovës i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës” – ka përfunduar Çeku.