Ilustrim

Çdo ditë në Kosovë, qytetarët ‘prodhojnë’ mbi 1 mijë ton bërllok

Afër gjysmë milioni ton, është sasia e bërllokut që qytetarët e vendit ‘prodhuan’ në vitin 2020. sasi pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2019, e që i bie mesatarisht 1,220 ton çdo ditë të vitit.

Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare regjionale në vitin 2020 ishte 445 mijë e 449 ton. Krahasuar me të dhënat e vitit 2019, ka një rënie të lehtë prej -0.02 për qind.

Sipas raportit, rreth 34 për qind e kësaj sasie të bërllokut apo 153,481 është deponuar në deponinë sanitare të regjionit të Prishtinës, 24 për qind apo 105,397 në deponinë sanitare të regjionit të Prizrenit, ndërsa me përqindje më të ulëta në deponitë të regjioneve tjera të Kosovës.

Sipas rezultatet nga Anketa e Mbeturinave të Trajtuara për vitin 2020 mësohet se: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 3,882 ton/vit; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 968 ton/vit, dhe sasia gjithsej e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara për vitin 2020 ishte 450 mijë e 299 ton/vit. Krahasuar me të dhënat e vitit 2019, ka një rritje të lehtë prej 0.03 për qind.

“Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje për vitin 2020 ishte si vijon: metalet (27%), mbeturinat nga plastika (47%), mbeturinat spitalore (20%), mbeturinat e letrës dhe kartonit (6%)”, thotë ASK-ja.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin “Anketës së Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për vitin 2020”.

Kjo anketë sipas ASK-së, ka për qëllim: grumbullimin e të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave (deponitë sanitare regjionale, objektet e trajtimit të mbetjeve medicinale-spitalore), sigurimin e të dhënave të qëndrueshme statistikore dhe krijimin e serisë kohore për mbeturinat e trajtuara.