Historiani Jusuf Buxhovi - Foto: KALLXO.com

Buxhovi: Kjo çka po ndodhë në LDK është mashtrim

Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi nuk ka dashur t’i komentoj kandidaturat e Anton Qunit, Lumir Abdixhikut e Lufti Hazirit për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Madje Buxhovi, këto zhvillime në LDK i ka quajtur mashtrim.

“Kjo çka po bëhet nuk është zgjedhje, është vetëm një mashtrim, përndryshe duhet komplet procesi zgjedhor prej degëve e nëndegëve të filloj, nëse duan ta kthejnë partinë ku duhet, përndryshe është mashtrim”, tha Buxhovi.

Buxhovi që është edhe njëri nga themeluesit e LDK-së, për KALLXO.com ka thënë se nëse LDK-ja vazhdon në këtë mënyrë, atëherë ka rrezik që të largohet nga skena politike.

“Nëse vazhdon me këtë mashtrim jo që do të dëmtohet, por ka edhe rrezik që largohet fare nga skena politike, dhe këta e bartin përgjegjësinë e shkallmimit të një partie historike”, theksoi ai.

Historiani dhe shkrimtari Buxhovi ka treguar se çfarë i duhet LDK-së në të ardhmen.

“LDK-së i duhet t’i përputhet rrethanave, t’i kthehet kosovo-centrizimit dhe të jetë e reformuar në përputhje me kërkesat e qytetarëve, liria, demokracia, shteti i Kosovës, shteti i ligjit të cilat deri tani janë uzurpuar prej klasës politike të deritanishme ku edhe LDK-ja ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë dhe fajit”, theksoi ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ka pasur rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ajo në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare u radhit e treta, me vetëm 110 mijë e 978 vota apo 12,64%.

Kryetari i saj, Isa Mustafa u tërhiq nga kjo pozitë, për t’i hapur rrugën procesit zgjedhor i cili pritet të mbahet më 14 mars.

Deri më tani, kandidaturat për të marrë ulësen e Isa Mustafës i kanë shpallur, Lumir Abdixhiku, Anton Quni e Lutfi Haziri.