A dha urdhër Xhafer Deva për vrasjen e hebrenjve? (VIDEO)

Personaliteti i Xhafer Devës si figurë politike del pas pushtim gjerman në një pjesë të Kosovës, në vitin 1941.

Deri atëherë ai ishte një ndërmarrës i suksesshëm mitrovicas.

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë gjatë një interviste në emisionin “KallxoPernime” se Deva ishe bashkëpunëtor i gjermanëve dhe kishte kontakte me rangje të larta politike dhe ushtarake gjermane.

Sipas tij, Deva një besonte se një Gjermani e fuqishme do t’ia kthejë kredibilitetin çështjes shqiptare.

Por, ai ka thënë se nuk ka dëshmi që Deva është i përfshirë apo të ketë dhënë urdhër për vrasjen e hebrenjve.

Pas pushtimit gjerman, regjioni i Mitrovicës ishte përfshirë në Banovinën e Dreinës së Serbisë fashiste, me qendër në Uzicë. Zv.guvernatori i kësaj Banovine ishte një shqiptar.

Deva, sipas Buxhovit, nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në administratën e saj Banovine, që administrohej drejtpërdrejt nga një ushtarak gjerman.

Buxhovi ka thënë se në atë Bonovinë, ku ishte e përfshirë edhe pjesa gjermane e Kosovës, kishte mbi 300 hebrenjë.

“Ekzistojnë shënimet se Kosta Peçanac, në kuadër të forcave çetnike i ka depërtuar 200 e ca hebrenj. Ndërsa zv/guvernatori shqiptar (i Banovinës) për pjesë e Mitrovicës dhe Novi Pazarit nuk ka lejuar depërtimin e asnjë hebreu, aty si duket ka qenë  ndikimi Xhafer Devës”, ka thënë Buxhovi.

Mandej, sipas tij, Xhandarmëria e rajonit të Mitrovicës, u përplas me forcat e Peçanacit, duke i mbrojtur familjet e hebrenjve.

“Pra, Xhafer Deva, jo që nuk ka lejuar depërtimin e ndjekjen e hebrenjve, por edhe i ka mbrojtur. Këto janë fakte historike”, ka thënë ai.

Sipas tij, Deva në vitet 1960 ka emigruar në Amerikë dhe është punësuar në një universitet hebre në Kaliforni dhe aty ishte deri në vdekje.

“Po të ishte i tillë Deva nuk do të merrte as azilin amerikan. Komisioni i Vizentalit, në asnjë moment nuk e ka futur në kurrfarë listash”, ka pohuar Buxhovi gjatë emisionit “KallxoPernime”.

Gjatë kësaj jave ka shpërthyer një debat lidhur me planet e Ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, përmes një reagimi në Twitter shprehu shqetësimin e tij lidhur me planet për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës. Sipas Rohd, Deva ishte një bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë.