Ilustrim

BQK: Në shtator vlera e kredive aktive në Kosovë ka arritur në 3.2 miliardë euro

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka deklaruar se në shtator të këtij viti, vlera e kredive aktive në sektorin bankar të Kosovës ka arritur në 3.2 miliardë euro. Sipas tij, kjo paraqet një rritje vjetore prej 7.6%.

“Në këto kushte, të hyrat nga sektori i jashtëm kanë shënuar rënie, ekonomia e Kosovës ka përfituar nga rritja e vazhdueshme e kreditimit bankar, gjithsej vlera e kredive aktive në sektorin bankar të Kosovës, në shtator 2020 ka arritur në 3.2 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 7.6%”, ka theksuar Mehmeti.

Ndërsa sa i përket kredive të reja, të lëshuara nga muaji janar deri në muajin gusht, Mehmeti ka thënë se ka një rënie prej 5%.

“Vlera e kredive të reja, të lëshuara nga janari deri në gusht 2020 është 912.5 milionë euro krahasuar me 959 milionë euro sa kanë qenë më herët pra kemi rënie prej 5%”, ka thënë guvernatori Mehmeti,

Parashikimet e Bankës Qendrore janë që ekonomia e Kosovës do të ketë rënie prej 7.2%.

Shkaktarët prapa rënies ekonomike kryesisht lidhen me masat e ndërmarra për pengimin e shpërndarjes së pandemisë të cilat ndikuan negativisht edhe në nivelin e konsumit por edhe në nivelin e investimeve.

“Një prej faktorëve që ka ndikuar në uljen e kërkesave agregate në përgjithësi në Kosovë edhe rënia e vizitave nga diasporave. Në anën tjetër kur jemi te lidhja e diasporës me vendin tonë ajo që deri diku ka ndikuar që ta zbusë efektin e pandemisë janë remitencat, të cilat vazhdojnë të vijnë nga diaspora”, ka përfunduar Mehmeti.