Mike Pence: Donald Trump gaboi, historia do ta mbajë përgjegjës

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka folur për ish-shefin e tij të dikurshëm Donald Trump, duke thënë se historia do ta mbajë atë përgjegjës për rolin e tij në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në “Capitol Hill” të SHBA.

Pence, në atë kohë nënpresident, ishte në “Capitol Hill” kur mijëra mbështetës të ish-presidentit Trump depërtuan në ndërtesë në një përpjekje për ta ndaluar Kongresin t’i certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat Trump i humbi nga kundërkandidati demokrat, Joe Biden.

Meqenëse zëvendëspresidenti e ka rolin kushtetues të presidentit të Senatit, Pence po kryesonte atë që kishte qenë gjithmonë detyra ceremoniale e miratimit të votave të kolegjit zgjedhor.

Gjatë gjithë rrethimit, Trump ka dërguar disa postime në Twitter, një të tillë duke u bërë thirrje republikanëve të “luftojnë” dhe postime tjera duke bërë pretendime të rreme për mashtrim të votuesve.

Trump gjithashtu e kritikonte Pence për vërtetimin e rezultateve.

“Presidenti Trump e kishte gabim” – u tha Pence gazetarëve dhe të ftuarve të tyre në darkën Gridiron, një ngjarje vjetore në Uashington DC.

“Nuk kisha të drejtë t’i përmbysja zgjedhjet dhe fjalët e tij të pamatura rrezikuan familjen time dhe të gjithë në “Capitol Hill” atë ditë dhe e di që një ditë historia do t’i kërkojë llogari Donald Trumpit”.

Pence, i cili po konsideron një kandidim për nominimin republikan për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës, u dërgua në siguri nga forcat e rendit gjatë sulmit.

Pence rrallë ka folur lidhur me trazirat e 6 janarit, mirëpo që atëherë veçse i ka rritur kritikat e tij ndaj rebelëve dhe sjelljes së Trump atë ditë.

Në një kujtim të publikuar në muajin nëntor, Pence e akuzon Trumpin se po rrezikonte familjen e tij.

“Ajo që ndodhi atë ditë ishte një turp” – ka deklaruar Pence.

“Dhe është tallje me mirësjelljen ta portretizosh atë situatë në ndonjë mënyrë tjetër. Për sa kohë të jem gjallë, nuk do t’i zbeh asnjëherë lëndimet e marra, jetët e humbura ose heroizmin e forcave të rendit në atë ditë tragjike.”/The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala