Foto: Ambasada ruse në SHBA
Diplomati rus: Ndoshta është koha të reduktohet numri i gazetarëve amerikanë në Rusi
Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara tha se Uashingtoni ka kërcënuar se do të hakmerret pasi gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, u arrestua nën akuza për spiunazh, dhe sugjerojë se mund të jetë koha që të reduktohet numri i gazetarëve amerikanë në Rusi.
Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) tha më 30 mars se ka arrestuar Gershkovichin në qytetin e Jekaterinburgut dhe ndaj tij ka iniciuar një rast për spiunazh, pasi sipas autoriteteve ruse, gazetari amerikan dyshohet se po mblidhte sekrete shtetërore lidhur me kompleksin industrial ushtarak.
Gershkovich, gazetari i parë amerikan i arrestuar në Rusi nën akuza për spiunazh që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, dhe media ku ai punon, kanë mohuar akuzat.
SHBA-ja i ka bërë thirrje Rusisë që të lirojë Gershkovichin dhe i ka cilësuar akuzat ndaj tij si qesharake. Presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu ka bërë thirrje për lirimin e gazetarit.
“Amerikanët na kanë kërcënuar me masa hakmarrëse nëse nuk e lirojmë Gershkovichin në një të ardhme të afërt”, tha ambasadori rus në Uashington, Anatoly Antonov. “Do të shohim se si do të veprojnë ata”.
Antonov tha se ka pasur një “bisedë të ashpër” me nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, e cila e ka akuzuar Rusinë për arrestim të paligjshëm të Gershkovichit. Antonov tha se Nuland vazhdimisht e ka ndërprerë atë gjatë bisedës.
Ambasadori rus tha se mund të jetë koha që të ulet numri i gazetarëve amerikanë që punojnë në Rusi.
“Amerikanët e kanë një fjalë shumë të mirë, reciprocitet, në të cilin ata insistojnë gjithmonë”, tha Antonov.
“Ndoshta është koha që ne të tregojmë reciprocitet dhe të reduktojmë numrin e gazetarëve amerikanë që punojnë në Moskë dhe në tërësi në mbarë Rusinë, dhe ky numër të jetë po aq sa numri i gazetarëve rusë që punojnë në Uashington dhe Nju Jork”, tha Antonov.
SHBA-ja tha të hënën se Rusia ka “arrestuar paligjshëm” Gershkovichin, duke hedhur poshtë akuzat, të cilat thanë se janë të motivuara politikisht.
Shumë gazetarë amerikanë janë larguar nga Rusia pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrianës vitin e kaluar dhe gazetarë të tjerë janë larguar pas arrestimit të Gershkovichit.
SHBA-ja vazhdimisht u ka kërkuar shtetasve të saj të largohen nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë, duke i paralajmëruar se ata mund të jenë subjekt i arrestimeve arbitrare dhe ngacmimeve nga forcat e sigurisë së Rusisë./REL.