Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell mirëpret përkushtimin e Kosovës për shtendosjen e situatës në veri, pret hapa të mëtejshëm

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaroi se e mirëpret përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes së arritur për shtendosjen e situatës në veri.

Ai tha se pret që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë përparimi në këtë drejtim.

“E mirëpres përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes që arritëm në hapat e parë për shtendosje . Presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me palët”- ka shkruar Borrell.

 

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë marrë vesh për hapat për shtendosjen e situatës në veri.

Në një përgjigje për KALLXO.com, BE thotë se ata janë dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka shpalosur pikat për të cilat janë dakorduar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, të hënën në Bratisllavë.

Kurti ka thënë se beson që dakordimi i Bratisllavës do të ndikojë në vendosjen e barazisë midis palëve dhe të ndihmojë në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka tërheqje të Policisë së Kosovës nga pjesa e veriut të Kosovës, pas takimit të Besnik Bislimit me Mirosllav Lajçak në Bratisllavë, por zvogëlim të prezencës për 25%.

Kryeministri Kurti jep detaje se çka u dakordua mes Lajçakut e Besnik Bislimit në Bratisllavë

BE dhe Qeveria konfirmojnë se Lajçak ka ftuar dy kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme.

Sipas BE-së ky takim do të bëhet për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes pa vonesë të mëtejshme.