Borrell: Do të diskutojmë për hapat konkret të zbatimit të Marrëveshjes Bazë

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka deklaruar se në takimin e sotëm, më 26.06.2024, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të diskutojnë për gjetjen e rrugës se si të lëvizet përpara me Marrëveshjen Bazike për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.

Në një konferencë për media para se të nisin takimet, Borrell deklaroi se është e qartë që ajo që është dakorduar duhet të zbatohet.

“Në vitet e kaluara dialogu ka sjellë shumë të arritura të cilat zakonisht janë anashkaluar. Nuk duhet t’i anashkalojmë ato, sepse kemi pasur arritje të rëndësishme dhe më e mira është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Fatkeqësisht implementimi i kësaj marrëveshjeje nuk ka filluar ende dhe shpresoj që sot do të diskutojmë se si të sigurojmë që më në fund të lëvizim përpara mbi bazën e kësaj marrëveshjeje”- tha Borrell.

“Do të diskutojmë për hapat e ardhshëm. Është e qartë që ajo që është dakorduar duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza e veprimeve. Por, veprimet duhet të pasojnë. Implementimi është kryesor. Sot do të punojmë për hapat konkretë për këtë implementim, për t’i tejkaluar krizat e përditshme me angazhim të plotë në procesin e normalizimit”- shtoi ai.

Shefi i diplomacisë së BE-së nënvizoi se vitin e kaluar ka pasur një sërë takimesh, porse ato kanë qenë të fokusuara më shumë në menaxhimin e “krizave të përditshme”, sesa me zbatimin e marrëveshjes.

“Nëse shikoni pas në përmbledhjet e këtyre takimeve, do të kujtoni se ka pasur mungesë të angazhimit, mungesë në progres, mungesë në zbatim, mungesë e vullnetit për të gjetur një konsensus”- u shpreh Borrell.

Më tej, Borrell theksoi se sot do të jetë e rëndësishme që të kenë një mirëkuptim në atë sesi të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, sesi ato duan të vazhdojnë këtë punë.

“Sot, raundi i ri i dialogut  shpresojmë se do të dërgojë një mesazh ndryshe, një fund me një shënim tjetër. Emisari ynë Mirosllav Lajçak ka qenë duke punuar dhe dua të kem një bisedë me dy liderët se çka është arritur në dialog gjatë mandatit tonë, që nga viti 2019. Do të jetë e rëndësishme për ne që të kemi një mirëkuptim në atë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si ato duan të vazhdojnë këtë punë”- tha Borrell.

“Në pak muaj, do të ketë njerëz të ndryshëm dhe emra tjerë në punët tona, por marrëveshjet, konkluzat e Këshillit dhe pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë, shtetet anëtare nuk do të ndryshojnë, përkushtimi dhe obligimi i Kosovës dhe Serbisë, nuk do të largohet. Të gjithë do të jenë duke shikuar ende tek kapaciteti dhe vullneti i presidentit serb dhe kryeministrit kosovar, për të ofruar një të ardhme europiane më të mirë për njerëzit e tyre”- tha mes tjerash ai.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, potencoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Progresi i normalizimit të marrëdhënieve të tyre është i lidhur ngushtë me rrugën e tyre drejt pranimit”- ka deklaruar Borrell.

Në Bruksel, sot më 26.06.2024, pritet të zhvillohet rundi i ri i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Kurti dhe Vuçiq fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara ne shefin e diplomacisë, Josep Borrell dhe me emisarin special për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilat do të vijojnë me një takim trepalësh.

Sipas një agjende të përditësuar nga BE-ja, takimet pritet të fillojnë 17:00.

Borrell do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 17:00. Ndërkaq më pas do të zhvillojë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi i përbashkët trepalësh është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe pas këtij takimi Borrell do të deklarohet për media.

Ky takim është i nënti me radhë, prej kur Kurti ka marrë mandatin e tij si kryeministër.

Palët për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Në anën tjetër, në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Rikthimi në dialog, Kurti e Vuçiq përballen sot në Bruksel