Bordi i Trepçës ndan nga 10 mijë euro për familjet e minatorëve të vdekur në minierën e Artanës

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Trepçës  së bashku me U.D i Kryeshefit Ekzekutiv Hysen Vrajolli, sot gjatë mbledhjes u dakorduan që familjeve të dy viktimave nga tragjedia në minierën e Artanës të ju ndahen nga 10 mijë euro.

“Gjithashtu në proces do të shqyrtohen edhe mundësitë tjera të ndihmës ndaj këtyre familjeve, ” thuhet në komunikatë.

Me këtë rast Bordi i ka shprehur ngushëllime familjeve dhe ka insistuar tek menaxherët e minierave që në maksimum të ngritin kujdesin ndaj punës dhe sigurisë në punë.

Dy minatorë kanë humbur jetën gjatë ditës së djeshme në Minierën e Artanës.

Trupi i Idriz Gerbeshit, xehetar me banim në Hajvali dhe ai i Haki Arifajt, inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc i Lipjanit, janë nxjerrë mbrëmë  pak pas mesnatës, pas shembjes që ndodhi në galeritë e minierës.