Blerta Deliu i reagon Vjosa Osmanit për heqjen e fotografisë së presidentit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit, për vendosjen e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në vend të atij aktual Hashim Thaçi.

Deliu-Kodra ka deklaruar se Osmani ka bërë shkelje ligjore.

“Fotografia zyrtare e presidentit, të cilën obligohen ta vendosin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në mjediset e tyre bazuar në Ligjin për Protokollin e Shtetit, sot u hoq nga kryeparlamentarja e re, Vjosa Osmani, e cila qysh në ditën e parë të punës bëri shkelje ligjore”, ka shkruar ajo në Facebook.

Deputetja e ka quajtur “selektive” kryeparlamentaren.

“Mandati i saj është udhëheqja e organit që nxjerr dhe miraton të gjitha ligjet, por siç edhe dëshmoi, vetë ajo është selektive në zbatimin e legjislacionit të Kosovës. Ky është një standard i ri për institucionet e Kosovës dhe një lojë tërësisht fëmijërore që nxjerr në pah më së shumti papjekurinë politike dhe teket personale të Vjosa Osmanit”, thuhet në publikimin e saj.

Deliu-Kodra e ka përmendur edhe vendosjen e fotografisë së ish-presidentit Rugova në zyrën e presidentit Thaçi.

“Logoja simbolike e presidentit Ibrahim Rugova me flamurin dardan, për të cilën nuk ekziston asnjë vendim, asnjë procesverbal dhe asnjë bazë ligjore që e mbështetë mbajtjen e saj, për hir të respektit dhe madhështisë së Hashim Thaçit, ende figuron në zyrën e tij”, ka shkruar ajo.

KALLXO.com ka raportuar për ndërrimin e fotografive në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Vjosa Osmani zgjidhet kryetare e Kuvendit