Bislimi: Jemi afër finalizimit të marrëveshjes me Serbinë për çështjen e energjisë në veri

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër finalizimit të marrëveshjes për çështjen e energjisë ne veri të Kosovës.

Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme ka thënë Kosova është rrugë të mirë që veriu të futet në sistem normal të furnizimit me energji.

“Ne kemi prezantuar një udhërrëfyës sesi duhet të vijmë deri te normalizimi i situatës me furnizim në veri. Për këtë janë paraparë 105 ditë dhe jemi afër finalizimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë Bislimi.

Bislimi nuk ka shpalosur detaje tjera lidhur me marrëveshjen.

“Kisha dashtë që mos me fol për detajet e marrëveshjes që të mos rrezikohet asgjë në moment të fundit, por jemi në rrugë të mirë që më në fund veriu i Kosovës të futet në sistem normal të furnizimit, faturimit dhe pagesave të faturave të energjisë”, ka thënë ai.

Marrëveshja për energjinë e arritur në vitin 2013, është njëra prej temave të cilat mbesin me ngecje të theksuara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pagesa e shpenzimeve të rrymës për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dilemat rreth shfrytëzimit të kapacitetit të Liqenit të Ujmanit dhe vonesat deri në funksionalizimin e linjës së njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri”, janë vetëm disa nga telashet që janë prodhuar.

Në dhjetor të vitit 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve. Në këtë raport flitet edhe për marrëveshjen për energjinë.

Hapat para dhe prapa në marrëveshjen e dialogut për energjinë