Komisioni për Ekonomi voton që KOSTT të mbulojë për 6 muajt e ardhshëm shpenzimet e energjisë elektrike në veri

Me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka votuar që në 6 muajt e ardhshëm, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ky ka qenë propozimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Propozimi i saj, i cili është përbërë nga 5 pika, e ka liruar Qeverinë e Kosovës nga përgjegjësia për pagesën e 11 milionë eurove të kërkuara nga KOSTT. Sipas saj për shkak se KOSTT ka mundësi financiare të mbulojë këtë shumë deri në një zgjidhje afatgjate.

Por Qeveria e Kosovës është e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës.

Sipas saj derisa KOSTT bën kontraktimin e energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës merret me mbikëqyrjen e licencimit e kompanisë që bëhet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

“KOSTT është e vetmja ndërmarrje që pronare e ka Kuvendin e Kosovës. Neve na takon që të vijmë te një zgjedhje. KOSTT të tregojë në baza mujore mbi devijimet e rrymës. Nëse ne e autorizojmë KOSTT-in që në një periudhë 6 mujore të marrë përgjegjësi të devijimit të rrymës, KOSTT prej tash mund të fillojë kontraktimin e rrymës në vlerë monetare me çmim shumë më të ulët se sa në rast se fillon Qeveria në baza mujore të bëjë kompensimin”, ka deklaruar Mimoza Kusari – Lila në Komision.

Ky propozim është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se nuk kanë asnjë të drejtë që ta rrezikojnë çështjen e stabilitetit financiar të KOSTT-it për marrëveshjen ndërkombëtare që e bën Qeveria.

“Ne e kemi paraparë që brenda 3 muajve nga dita e miratimit të rekomandimeve, Qeveria ka kohë të mjaftueshme me programu edhe planin afatshkurtër edhe atë afatgjatë. Unë konsideroj që 6 muaj janë shumë. Qeveria është përgjegjëse nuk kemi çka e ngarkojmë KOSTT-in. Këtu KOSTT-i është një lloj viktime. Unë edhe sot habitem se pse KOSTT-it me i mbete patatja e nxehtë në dorë”, tha Shala.

Deputeti tjetër i PDK-së, Uran Ismaili ka theksuar se ideja e ngarkimi të KOSTT-it me këtë pagesë e rrezikon atë si kompani.

“Ne dëgjuam Qeverinë dhe KOSTT-in por nuk erdhën me një zgjidhje kreative. Ideja që të ngarkohet KOSTT-i i bën dy gabime, e para, rrezikon një kompani e cila ka profit 11 milionë euro. Duke tentu me dëmtu diçka që funksionon për diçka që nuk është duke funksionu, mendoj që janë dy gabime. Nuk po mundesh me rregullu pagesën e rrymës në veri por me destabilizu pjesën financiare të KOSTT-it”, deklaroi Ismaili.

Kundër propozimit të deputetes Mimoza Kusari – Lila ishte edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.

“Unë nuk pajtohen që ta ngarkojmë KOSTT-in”, përfundoi Lekaj.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar 11 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, i cili gjatë ditës së djeshme ka raportuar para Komisonit për Ekonomi, ka thënë se si pasojë e pezullimit të të hyrave për mbulimin e humbjeve në veri të Kosovës, KOSTT nuk ka pasur mundësi të prodhojë energji elektrike për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës që nga dhjetori i vitit 2017.

“Konsumi në pjesën veriore të Kosovës është regjistruar si devijim i Kosovës ndaj Evropës kontinentale që nga ajo periudhë”, ka theksuar Mehmeti.

Ai paralajmëroi se në rast se ndodhin devijime, KOSTT në bazë të marrëveshjes së kyçjes në ENTSO-E do të ballafaqohet me ndëshkime financiare nga ENTSO-E dhe si rrjedhojë e kësaj, do të ketë rivlerësim të marrëveshjes së kyçjes si dhe dëmton reputacionin e Kosovës dhe shteteve mike që e kanë mbështetur pavarësimin energjetik të Kosovës.

“Nëse kjo ndodhë, sipas marrëveshjes KOSTT do të gjobitet me 5 milionë euro në vit sipas marrëveshjes”, ka potencuar Mehmeti.

Bashkë me kryesuesin e bordit të KOSTT-it ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se objektivi është që furnizimi me energji elektrike në komunat e veriut të rregullohet.

“Është me rëndësi që kjo periudhë tranzitore deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të jetë pa tensione. Është me rëndësi të gjejmë një zgjidhje që anëtarësimi në ENTSO-E të mos rrezikohet”, potencoi Rizvanolli.

Marrëveshja për energji në mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar në Bruksel. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe me 19 prill të vitit 2013.“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE.Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” ka aplikuar për licencim në janar të këtij viti.

ZRrE për KALLXO.com kanë konfirmuar se ky proces mund të zgjasë pasi që, bordi i Zyrës së Rregullatorit është jofunksional.

“Bazuar në rregullën e lartpërmendur, pas shqyrtimit të aplikacionit, vendimi përfundimtar nevojitet të merret nga Bordi i Rregullatorit. Prandaj, duke qenë se Bordi i Rregullatorit aktualisht nuk është funksional, vendimi përfundimtar nuk mund të merret as për lëshimin e kësaj licence, siç nuk mund të merren as edhe vendime të tjera që kërkohen me legjislacionin përkatës”, theksohet më tej në përgjigjet e këtij institucioni për KALLXO.com.

Para disa ditëve, Qeveria e Kosovës ka hapur konkurs për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së.Kujtojmë se Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.