Besnik Tahiri i fton gastronomët për kafe në zyrën e tij në Qeveri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas deklaratës së Shoqatës të Gastronomëve se nuk do u shërbejnë më në kafene, bare dhe restorante krerëve të Qeverisë.

Pas masave anti-COVID-19, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka shpallur Qeverinë e Kosovës NON GRATA (të padëshirueshme) për kufizim të punës në këtë fushë.

Tahiri në rrjetin social “Facebook” i ka ftuar gastronomët për kafe në zyrën e tij në Qeveri, për t’u sqaruar lidhur me masat e reja.

“Meqë nuk e paskeni kuptuar saktë vendimin e Qeverisë që në një situatë tmerrësisht të rëndë u ka lënë hapësirë që të punoni, minimalisht 14 orë në ditë, edhe pse ka pasur ide që të mbyllej gjithçka, dhe meqenëse ju nuk po qitni kafe, atëherë ju thërras unë të gjithë juve nesër në ora 12 për kafe, në zyrën time, në Qeveri. Aty do të sqaroheni edhe më shumë! Mirë se vini!”, ka shkruar Tahiri.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka shpallur Qeverinë e Kosovës NON GRATA (të padëshirueshme) pas masave të fundit për kufizim të punës në këtë fushë.

Shoqata është shprehur se nuk do u shërbejnë më në kafene, bare dhe restorante Qeverisë së Kosovës.

“S’ka konsideratë për neve, s’ka kafe për juve”.

“Shoqata e Gastronomëve në emër të gjithë anëtarëve shpall Qeverinë e Kosovës NON GRATA (të padëshirueshëm). Nuk do t’ju shërbejmë në kafe, bare dhe restorante”, kanë shprehur gastronomët.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka bërë të ditura masat e reja anti- COVID për ditët e ardhshme në Kosovë. Vendimi sipas Hotit pritet të vihet në votim në Qeveri.

Komunat  me numër të të infektuarve nën 75 për 100 mijë banorë janë futur në “grupin e gjelbër”. Në këto qytete operatorët ekonomikë, gastronomia dhe veprimtaria hoteliere  mund të punojnë nga ora 05:00 deri në në orën 20:00, pas kësaj ore mund të punohet vetëm me dërgesë  dhe “merr me  vete”.

Në qytetet me rrezikshmëri të mesme të cilat përfshijnë ato komuna me numër nën 150 të infektuar për 100 mijë banorë  operatorët ekonomikë, shërbimet hoteliere dhe gastronomia mund të punojnë  nga ora 05:00 deri  18:00. Ndërkaq pas kësaj ore veprimtaria  mund të zhvillohet vetëm me porosi apo “merr me vete”.

Për këto qytete është marrë vendim që insitucionet publike të punojnë me staf esencial.

Komunat me rrezikshmëri të lartë me numër të infekturave mbi 150 për 100 mijë banorë brenda javës  janë kategorizuar në “zonën e kuqe”. Në këto qytete operatorët ekonomikë, shërbimet hoteliere dhe gastronomia janë lejuar në punojnë nga ora 05:00-19:00. Nga ora 19:00, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se të gjitha bizneset do të mbyllen.