Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekë Berisha: Mos gaboni të largoni veteranët nga paga minimale!

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debat parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti nga AAK, Bekë Berisha i është drejtuar Qeverisë që të mos largojnë veteranët nga paga minimale dhe gjithashtu ka kërkuar sjelljen e ligjit të pagave dhe të trustit për votim në Kuvend.

“Niveli i varfërisë në Kosovë është duke u rritur, çmimet janë duke u rritur në mënyrë enorme ndërsa pagat janë duke u zvogëluar dhe duke mos u ngritur. Veproni si me rritjen e pagës minimale dhe mos gaboni të largoni veteranët nga paga minimale. Silleni ligjin e pagave, silleni trustin”, ka deklaruar Berisha.

Ai tha se kërkesa e tyre si AAK është që Forca e Sigurisë së Kosovës të shihet si prioritet mbi prioritete.

“Kërkesa jonë është që ky institucion të shihet si prioritet mbi prioritete për shkak se pa siguri nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka funksionim të asnjë institucioni pa u ushtrinë, pa sigurinë nuk ka shtet. Miratimi dhe sjellja sa më shpejtë në Kuvend të strategjisë kombëtare të Kosovës është prioritet mbi prioritete. Njëkohësisht sigurimi i të gjitha kushteve dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjete moderne”, tha Berisha.

Tutje ai ka folur edhe për Policinë për të cilët tha se kërkojnë kushte minimale për ta dhe një pagë të dinjitetshme.

“Ka më shumë se një vit që ne kërkojmë që kushte minimale për policinë. Një pagë të dinjitetshme, një ligj të pagave i cili deri tash është duke u kthyer në një diskutim të pa kuptueshëm. Policnë e Kosovës duhet t’a ruajmë si sytë e ballit”, ka thënë Berisha.

Deputeti Berisha gjithashtu u shpreh se sipas tij Policia ka filluar të partizohet e të jo profesionalizohet.

“Askush nuk mund të gradohet në Polici po që se nuk është i afërm i juaji apo nuk është në funksion të plotë të politikës suaj. Policia po fillon të partizohet e jo të profesionalizohet, nëqoftëse kemi folë për kapje në fakt kuptimin e plotë të fjalës po e bëni ju. Duar larg nga Policia, krijoni kushtet sepse edhe ashtu janë të lodhur”, shtoi ai.