BE bën thirrje: Të tërhiqet menjëherë Njësia Speciale nga veriu, të largohen bllokadat në rrugë!

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka kërkuar që  menjëherë të tërhiqen njësia speciale e Policisë së Kosovës në veri dhe të largohen bllokadat e krijuara në Jarinjë dhe Bërnjak.

Sipas tij, Serbia dhe Kosova duhet t’i ulin tensionet pasi “veprimet e njëanshme janë të papranueshme”.

“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke larguar bllokadat e krijuara. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka thënë Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së po ashtu tha se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë përgjegjës për sigurinë dhe çdo rrezik në dy vendet.

“Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të zbutur situatën dhe për të rënë dakord për rrugën përpara. BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti këtë javë”, tha Borell.

Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdon të jetë platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis palëve, “përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat, dhe unë i nxis fuqimisht Kosovën dhe Serbinë që ta përdorin atë. Të dy kryenegociatorët që vijnë në Bruksel ditët në vijim,  është hapi i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë me një mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve”, thuhet më tej në deklaratën e Borell.

Borell thotë se BE pret që  Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve të tyre.

“Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, e cila është e nevojshme që të dy të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, ka shtuar ai.

Situata në veri të Kosovës sot është e qetë, ndonëse shteti serb sikur edhe në dy ditët e kaluara provokoi situatën me fluturim të aeroplanëve ushtarakë deri në afërsi të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak.

Që prej 20 shtatorit, kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targat nga Serbia, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë bllokuar nga serbët lokalë të cilët po e kundërshtojnë këtë masë.