Bashkimi Evropian ndan rreth 11 milionë euro për vende pune dhe 6 çerdhe

Bashkimi Evropian ka ndarë 10.8 milionë euro si ndihmë ndaj Kosovës në kuadër të Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit ( IPA), shuma totale e të cilit është 71 milionë euro.

Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë,  Tomas Szunyog ka thënë se nga kjo shumë do të mundësojë krijimin e 281 vendeve të punës si dhe ndërtimin e 6 kopshteve për fëmijë.

“Në javët e fundit, BE-ja ka nënshkruar një numër kontratash dhe kështu e ka përfunduar kontraktimin e Programit Vjetor IPA të vitit 2016. Nga këto projekte përfitojnë drejtpërdrejt 13 biznese, ato mbështesin dhe krijojnë 281 vende pune, duke përfshirë grupet e pa favorizuara, dhe ofrojnë pajisje të nivelit më të lartë për kopshte për rreth 700 fëmijë nëpër Kosovë: në Prishtinë, Mazgit, Gjilan, Gllogoc, Skenderaj dhe Vitomiricë”, tha Szunyog

Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) është instrumenti kryesor financiar që siguron mbështetjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.  Kjo asistencë kontribuon në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e vendeve përfituese.