Banorët ankohen për punime të stërzgjatura në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë

Punimet në rrugën “Bajram Kelmendi” në kryeqytet,  po vazhdojnl tash e disa muaj.

Punimet kishin nisur më 7 prill të këtij viti dhe përveç rregullimit të rrugës dhe trotuareve ka filluar edhe vendosja e kabllove të energjisë elektrike nën tokë.

Baki Statovci, banor në këtë lagje thotë se në këto muaj janë kryer tre lloj punimesh.

“Janë tre kompani. Njëra e filloi me ndreqë trotuarin ia ndërprenë, sepse do duhet të vendosen një herë kabllot e rrymës [në tokë], dhe kompania e tretë është ajo që do ta bëjë asfaltimin e rrugës” thotë ai.

Ndërkaq, sipas banores Hysnie Sekiraqa punimet në këtë rrugë janë stërzgjatur duke e bërë vështirë të kalueshme.

Sekiraqa tregon që punimet në rrugë nuk kanë pasur një plan “pasi që është rregulluar një pjesë e trotuarit është prishur që të vendosen kabllot e rrymës. Ka pasur raste kur një segment i caktuar është prishur dy-tre herë”

Halil Fejziu, zyrtar i lartë për ndërtim urban nga komuna e Prishtinës, tha  se punimet në këtë rrugë janë vonuar për shkak të punimeve nga KEDS.

“Pas fillimit të gërryerjes së shtresës së asfaltit KEDS ka njoftuar dhe ka bërë kërkesë që të bëjë vendosjen e gypave për kanalizim kabllor, kështu që është dashur të presim përfundimin e punëve nga ata dhe tani kemi filluar me ndërtimin e trotuareve të cilët janë të dëmtuar dhe menjëherë pas tyre fillohet me vendosjen e shtresës së re të asfaltit.”, tha ai.

Për rregullimin e kësaj rruge komuna e Prishtinës ka ndarë 250.000€.