Avdullah Hoti: Letra e Kurtit është kthim prapa

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se letra sotme e Albin Kurtit drejtuar Isa Mustafës është kthim prapa.

Hoti në emisionin ‘Rubikon’ të KTV tha se pas gjithë atyre bashkëpunimeve me Vetëvendosjen në opozitë, nuk është pritur një letër e tillë.

“Është kthim prapa. Kemi punuar si parti opozitare për dy vjet. Kemi ndërtu një relacion të komunikimit korrekt, duke pasur në mendje se mund të punojmë bashkë në qeveri. Kemi gjetur një gjuhë të mirë të komunikimit. Kemi pasë iniciativë në komisione hetimore në Kuvend. E ndërtuam një komunikm korrekt të besimit të ndërsjellët edhe para zgjedhjeve. Duke pasë parasysh këtë bashkëpunim, nuk pret që dikush të drejtohet me një letër të tillë”, deklaroi Hoti.

Ai tutje tha se LDK-ja nuk është duke e marrë seriozisht këtë letër të Kurtit.

“Nuk jemi duke e marrë seriozisht dhe jemi duke pritë një përgjigje korrekte. Nëse e shihni letrën, ai nuk përgjigjet në ofertën që e kemi bërë”, deklaroi Avdullah Hoti.

Sot gjatë ditës kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, iu drejtua kreut të LDK-së, Isa Mustafës, me një letër duke i kërkuar që të tërhiqet nga kërkesa që LDK-ja ta ketë postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.