Ilustrim

Auditori gjen se Ministria e Infrastrukturës pati vonesa në përfundimin e disa projekteve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në të paktën pesë raste Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), ka pasur vonesa në përfundimin e punëve sipas planit dinamik.

Sipas ZKA-së, kontrata “Ndërtimi i Tranzitit në Malishevë”, loti 1 në vlerë 959 mijë euro ishte nënshkruar me 14.06.2019. Data e fillimit të punës ishte 04.07.2019 dhe përfundimi për 180 ditë pune. Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2023, për më shumë se tre vite ishte 142 mijë e 496 euro, apo vetëm 15% e vlerës së kontraktuar.

Rasti i dytë ka qenë kontrata “Rehabilitimi i rrugës rajonale R-108, Segmenti II” në vlerë prej 3 milionë e 789 mijë e 533 euro, e cila ishte nënshkruar me 09.07.2019. Sipas kontratës, data e fillimit të punëve ka qenë me 29.07.2019 dhe përfundimi ishte paraparë për 705 ditë apo rreth 25 muaj. Me 23.09.2021 ishte nënshkruar një aneks-kontratë për këtë projekt, me vlerë prej 378 mijë e 593 euro, me afat prej 120 ditë pune. Por vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2023 ka qenë 2 milionë e 771 mijë e 478 euro apo 66% e vlerës së kontraktuar.

Kontrata e tretë është “Ndërtimi i autoudhës A7.1 – Dheu i Bardhë – Udhëkryqi Bresic Loti 1” në vlerë 18 milionë e 468 mijë e 427 euro dhe kontrata për të ishte nënshkruar më 13.02.2018. Afati kohor i përfundimit të punimeve, sipas kontratës, ka qenë 30 muaj nga data e nënshkrimi të kontratës. Lidhur me të njëjtin projekt ishte nënshkruar edhe një aneks kontratë më 14.06.2019 në vlerë 1 milionë e 843 mijë e 392, me afat 60 ditë për realizim të punëve. Auditori ka gjetur se vlera e punëve të realizuara për këtë projekt deri në fund të vitit 2023 ka qenë 16 milionë e 246 mijë e 643 apo 80%.

Rasti i katërt i evidentuar nga Auditori është kontrata “Asfaltimi i rrugës lokale nga kryqëzimi N25 – Grejkoc – Rrafshi i Livadheve” me vlerë 2 milionë e 980 mijë e 445 euro. Kontrata ishte nënshkruar më 06.05.2020, ndërsa aneks-kontrata në vlerë 297 mijë e 248 ishte nënshkruar më 03.12.2021 dhe realizimi i punëve ishte për 15 muaj. Vlera e punëve, sipas ZKA-së, deri në fund të vitit 2023 ishte 1 milionë e 403 mijë e 681 euro apo 43% e vlerës së kontraktuar.

Ndërsa rasti i pestë është kontrata “Zgjerimi i rrugës nacionale N9.1, segmenti Dollc – Gjakovë – Loti 1”, në vlerë 4 milionë e 616 mijë  e 601 euro. Kontrata për këtë projekt ishte nënshkruar më 11.03.2019. Sipas kontratës, ka njoftuar ZKA, afati kohor për përfundimin e punimeve ka qenë për 200 ditë. Lidhur me projektin, ishte nënshkruar edhe një aneks-kontratë më 17.09.2019, me vlerë 460 mijë e 273 euro, me afat 35 ditë. Sipas ZKA-së, deri në fund të vitit 2023 vlera e punëve të kryera ka qenë 3 milionë e 209 mijë e 233 euro apo 60%.

Auditori ka thënë se kjo gjendje e vonimit të projekteve, ishte ndikuar nga mungesa e një analize të mirëfilltë para inicimit të projekteve kapitale, që kishin të bënin lidhur me problemet e shpronësimit të tokave, gabimeve në hartimin e projekteve ekzekutive, dhe gjatë realizimit ka rezultuar se nuk përshtaten me gjendjen e terrenit.

“Ministri duhet të sigurojë se para inicimit të projekteve paraprakisht kryhet procesi i shpronësimit të tokave në të cilat parashihet realizimi i projekteve si dhe ti kushtohet rëndësi përpilimit/përgatitjes të projekteve ekzekutive në mënyrë që realizimi i punimeve të bëhet sipas planeve dinamike” – thuhet në rekomandimin që ZKA i ka bërë minsitrisë.

Përgjigja e MMPHI-së ka qenë që pajtohen me këtë gjetje të ZKA-së.

MMPHI ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për MMPHI-në në raportin vjetor për pasqyrat financiare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Raporti i vitit 2023 ka rezultuar me 15 rekomandime, prej tyre tre janë rekomandime të reja dhe 12 janë rekomandime të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e auditimit të vitit 2024, i cili publikohet në qershor 2025.

Në raportin e auditimit për vitin 2022 ishin dhënë 20 rekomandime. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, tre rekomandime nuk ishin të aplikueshme më, si dhe 12 rekomandime të tjera nuk ishin zbatuar.

Raportin e plotë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për MMPHI-në mund ta gjeni KËTU.