Auditori: Zyra e Rregullatorit të Energjisë kreu blerje pa respektuar procedurat

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në gjashtë raste ka kryer blerje në kundërshtim me rregullën financiare.

Sipas Rregullës Financare, “procedurat e blerjes duhet të fillojnë me një kërkesë për blerje, pastaj zotimi i mjeteve, pas të cilës duhet të procedohet me urdhër blerje, pranimin e mallit ose shërbimit, shpenzimi dhe më në fund pagesën e faturës”.

Auditori ka evidentuar se ZRrE në 6 rastet pasi kishte paguar faturën, kishte proceduar zotimin e mjeteve dhe urdhrin për blerjet.

Blerjet kishin qenë me vlerë 4 mijë e 952 euro.

“Kjo ka ndodhur për shkak të moszbatimit të procedurave ligjore për shpenzimet e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës” – thuhet në raportim e ZKA-së.

Sipas auditorit “mos aplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procesit të pagesave mund të shkaktojë ndikim të mos kryerjes se obligimeve të faturuara në kohë, duke çuar në rritjen e detyrimeve të papaguara, që në fund do të shkaktojnë probleme për buxhetin e vitit të ardhshëm”.

Zyra Kombëtare e Auditimit poashtu ka vërejtur se në dy raste me vlerë të pagesave prej 3 mijë e 300 euro janë realizuar pagesa bazuar në fatura të cilat nuk ishin protokolluar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Mos protokollimi i faturave të pranuara rritë rrezikun që ato mos të regjistrohen në kohë, të mos raportohen detyrimet sipas faturave dhe të shkaktohen vonesa në pagesën e tyre” – thotë auditori.

ZKA në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2023 ka dhënë opinion të pamodifikuar. Auditori e jep opinionin e pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet.

Raporti i auditimit për ZRrE-në  ka rezultuar me tre rekomandime, dy prej tyre të reja dhe një e përsëritur.