ATK: 3812 raportime të pranuara për ngritje çmimeve

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se deri me tani ka pranuar 3812 denoncime nga qytetarët për rritje të çmimeve dhe për shkelje tjera.

Në njoftimin e ATK-së, thuhet se vetëm dje raportuar 378 raste për bizneset tek të cilat dyshohet se kanë rritur çmimet e artikujve ushqimorë dhe atyre farmaceutik, si dhe shkeljeve tjera.

ATK njofton se nga 378 raste të raportuara 202 prej tyre kanë qenë raportime për rritje çmimesh dhe parregullsi tatimore, ndërsa 176 thirrjet tjera janë thirrje për biznese që punojnë edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbyllje.

“Që nga data 12 mars kur është marrë vendimi nga Ministria e Financave dhe Transfereve e deri më datë 17 mars, janë pranuar 3,321 thirrje për parregullsi tatimore dhe rritje çmimesh, ndërsa në  total, përfshirë edhe denoncimet tjera, janë pranuar 3,812 thirrje/denoncime”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK njofton se deri me tani në bazë të këtyre raportimeve ka  zhvilluar 1,040 aktivitete në teren nga inspektorët tatimor dhe pas këtyre aktiviteteve do të ndërmerren masa ligjore, në bashkëpunim me Inspektoriatin e tregut dhe Prokurorinë.

Raste të ngjashme qytetarët kanë raportuar edhe në KALLXO.com.

Një rast i tillë i është dërguar dje Administratës Tatimore të Kosovës pasi qytetarët kishin raportuar se një barnatore në komunën e Kamenicës është duke shitur dezinfektues me çmim 7 euro.

Vizitën e inspektorëve tek ky biznes mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.

Kallxo.com, inkurajon qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë për secilën parregullsi që hasin tek bizneset.